KESCO ka njoftuar se menjëherë pas uljes së temperaturave, është shënuar rritje e menjëhershme e kërkesës për energji elektrike, që po përdoret për ngrohje.
Sipas KESCO, ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, u është bërë thirrje qytetarëve për kursim maksimal të rrymës.
“Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut. Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim”, thuhet në njoftim.
Në njoftim u është rikujtuar qytetarëve se çmimet janë duksshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kwh.
“Evitimi i ngrohjes me energji elektrike është shumë i këshillueshëm për hapësirat e banimit ku kjo është e mundshme. Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta.
Gjatë krizës energjetike, shumë vende evropiane e patën kufizuar temperaturën e brendshme të mos jetë gjatë dimrit mbi 19 gradë celsius. Kjo temperaturë llogaritet që ofron ngrohje të mjaftueshme për njeriun gjatë dimrit. Gjithashtu duhet të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndroni e jo edhe ato ku nuk qëndroni.
Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje”, ka sugjeruar KESCO.