Fillon Forumi i Biznesit në Sarajevë, më shumë se 1.000 pjesëmarrës nga 33 vende

Tema e Forumit dyditor të këtij viti është “Nearshoring – një perspektivë për rajonin”, gjegjësisht prezantimi i potencialit për rialokim të prodhimit të kompanive evropiane në zonën e Evropës Juglindore.

Sot filloi Forumi i 11-të i Biznesit në Sarajevë (SBF) ku marrin pjesë më shumë se 1.000 pjesëmarrës nga 33 vende, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një pauze dyvjeçare të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, Forumi do të vazhdojë këtë vit traditën e takimit të disa prej liderëve më të mëdhenj të biznesit dhe politikës nga rajoni dhe bota.

Tema e Forumit dyditor të këtij viti është “Nearshoring – një perspektivë për rajonin”, gjegjësisht prezantimi i potencialit për rialokim të prodhimit të kompanive evropiane në zonën e Evropës Juglindore.

Forumi do të hapet nga presidenti i Bordit Drejtues të Bankës Ndërkombëtare Bosna Bank, Alek Bakaloviç, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiç dhe ministri i Ekonomisë i Kantonit të Sarajevës, Adnan Deliç. Në fjalën hyrëse të pranishmëve do t’u drejtohet presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ministri i Tregtisë së Turqisë, Mehmet Mus, ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë, Davor Filipoviç, ministri i Industrisë, Investimeve dhe Zhvillimit të Sipërmarrjes i Shtetit Melaka të Malajzisë, YB Datuk Seri Ab Rauf bin Yusoh si dhe kreu i delegacionit evropian në BeH dhe përfaqësuesi special i BE-së në BeH, Johann Sattler.

Në ditën e parë Forumi i Biznesit në Sarajevë do të fokusohet në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, apo mundësitë për ringritje ndërsa në panelin e parë, mendimet e tyre si ekspertë do t’i ndajnë ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Stambollit (ITO), Shekib Avdagiç, zëvendëspresidenti ekzekutiv i bankës Kuveyt Turk, Ahmet Albayrak, përfaqësuesja e Bankës Evropiane të Investimeve për BeH dhe Maqedoni, Sandrine Friscia si dhe shumë përfaqësues të skenës politike dhe të biznesit nga rreth 40 vende pjesëmarrëse në Forum.

Forumi i Biznesit në Sarajevë (SBF) edhe këtë viti do të ndajë çmimin prestigjioz “Sarajevo Business Bridge Awards” për kompanitë dhe individët që kanë kontribuar në zhvillimin e sipërmarrjes, zhvillimin e qëndrueshëm dhe klimën e investimeve në rajon përmes biznesit të tyre, ideve inovative dhe punësimit të të rinjve. Bazuar në vlerësimin e jurisë së ekspertëve, “Sarajevo Business Bridge Awards” do t’u ndahen fituesve në një ceremoni solemne në ndërtesën e Asamblesë Parlamentare të BeH në ditën e parë të Forumit, në prani të udhëheqësve politikë dhe të biznesit botëror dhe rajonal.

Ditën e dytë të Forumit do ta hapë Chris Barton, komisioneri britanik i Tregtisë për Evropën, i ndjekur nga katër panele që fokusohen në potencialin e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e panelit në fushën e partneritetit publik-privat, drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për BeH Manuela Naessl do të paraqesë mundësitë për tërheqjen e investitorëve privatë në partneritetin publik-privat.

Në bashkëpunim me projektin e USAID-it për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm në BeH (turizëm), dita e dytë e konferencës kryesore të biznesit dhe investimeve do të fokusohet në fuqinë e turizmit në nxitjen e progresit ekonomik, ku do të marrin pjesë ekspertë të industrisë së turizmit me famë botërore.

Dita e dytë do të mbyllet me një panel në fushën e financave islame dhe do të promovohet nisja e një platforme edukative në fushën e financave islame dhe synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvilluar nga UNDP-ja dhe Banka Islame për Zhvillim.

Ndër panelistët në ditën e dytë të Forumit do të jetë David Goodger, drejtor i Ekonomisë së Turizmit në Evropë, Oxford Economic, Ana Lucia Lind, kryetare e Swiss Financial Engineering AG, Ibrahim Osta, specialist i Zhvillimit Ndërkombëtar të Turizmit, David Margason, ekspert për Zhvillim të Pasurive të Paluajtshme si dhe një numër investitorësh dhe shumë ekspertësh të tjerë rajonalë dhe botërorë.

Gjatë Forumit dyditor të Biznesit të Sarajevës do të organizohen pesë panele ndërsa në ditën e dytë të Forumit do të mbahen takime B2B për mbulimin me rrjet të pjesëmarrësve dhe për të zhvilluar mundësi të reja biznesi.

Në ditët në vijim, SBF do të prezantojë një sërë projektesh investimi rajonale në prodhim, bujqësi, energji, arsim, financë, infrastrukturë, ndërtim, shërbime, turizëm dhe sektorë të tjerë.

Ashtu sikur në vitet e mëparshme, Forumi i Biznesit në Sarajevë këtë vit do të presë një delegacion të madh biznesi si dhe emra të shquar politikë dhe biznesi nga Malajzia. Një nga folësit kryesorë do të jetë TYT Tun Seri Setia Mohad Ali bin Rustam, guvernator i shtetit të Melakas. Për Tun Seri Setia Mohd Ali kjo do të jetë ardhja e tij e tretë në Forumin e Biznesit në Sarajevë, pasi më parë ka marrë pjesë si kryeministër i Melakës dhe senator i Senatit të Malajzisë. Përveç guvernatorit, delegacioni nga Melaka do të përfshijë YAB Datuk Seri Utama Sulaiman bin Md Ali, kryeministri i Melaka, YB Datuk Seri Ab Rauf bin Yusoh, ministër i lartë i Shtetit për Industrinë, Investimet dhe Sipërmarrjen, YB Datuk Zaidi bin Johari sekretari i Shtetit dhe drejtorët e departamenteve dhe shefat e departamenteve.

Ardhjen në Forumin e Biznesit në Sarajevë e ka paralajmëruar edhe Dhoma e Tregtisë e Stambollit (ITO), e udhëhequr nga presidenti Shekib Avdagiç.

Pjesëmarrjen në SBF e ka konfirmuar edhe Komiteti për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare të Republikës së Turqisë (DEIK). Njerëz të rëndësishëm nga Unioni i Bankave Pjesëmarrëse Turke (TKBB) do të marrin pjesë të konsiderueshme në SBF.

Këtë vit, forumi do të prezantojë rreth 300 projekte investimi dhe ide biznesi, kryesisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia. Të gjitha kompanitë nga rajoni që aplikuan për projektin përmes faqes zyrtare të Forumit të Biznesit të Sarajevës, përveç promovimit dhe prezantimit, do të kenë mundësi të takohen me partnerë dhe investitorë potencialë të interesuar për të investuar në ekonominë e rajonit.

Organizatori i konferencës më të madhe dhe më të rëndësishme të investimeve në rajon është Bosna Bank International (BBI) d.d. Sarajeva nën kujdesin e Presidencës së BeH-së dhe në bashkëpunim me një partner strategjik – Ministrinë e Ekonomisë të Kantonit të Sarajevës dhe aksionarët e BBI Bank – Banka Islame për Zhvillim (IsDB), Banka Islame e Dubait (DIB), Banka Islame Abu Dhabi ( ADIB) dhe partnerë të tjerë.

Partneri global i komunikimit i Forumit të 11-të të Biznesit në Sarajevë 2022 është agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA) ndërkaq kompania zyrtare e ajrore e SBF-së është Turkish Airlines.

Kategoritë
Ekonomi