Fillon Forumi i Sigurisë në Istanbul në organizim të Kryesisë së Komunikimeve

Kreu i Kryesisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun tha se Türkiye shfaq një performancë shembullore në luftën kundër terrorizmit për të gjithë botën

Kreu i Kryesisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun tha se Türkiye shfaq një performancë shembullore në luftën kundër terrorizmit për të gjithë botën, raporton Anadolu.

Në organizim të Kryesisë së Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s në Istanbul të Türkiye-s ka filluar Forumi i Sigurisë së Istanbulit. Altun në fjalimin e tij në hapjen e forumit tha se forumi është zbatuar me qëllim të krijimit të një platforme globale të dialogut në fushën e sigurisë.

Ai theksoi se ata besojnë se forumi me temat gjithëpërfshirëse do të japë një kontribut të rëndësishëm në studimet teorike dhe praktike në fushën e sigurisë. “Do të përpiqemi që këtë forum ku do të ofrojmë sugjerime për zgjidhje ndaj problemeve aktuale të sigurisë rajonale dhe globale, ta bëjmë një platformë të fortë për ekosistemin e sigurisë”, tha Altun.

Duke folur për tërmetin e 6 shkurtit, ai tha se në këtë periudhë vendi i tij ka marrë një mbështetje dhe solidaritet të madh ndërkombëtar. Ai tërhoqi vëmendjen se kërcënimet e sigurisë të shekullit të 21-të nuk kufizohen vetëm në zhvillime që përfshijnë vetëm mosmarrëveshje ndërshtetërore, konflikte rajonale ose luftëra.

“Ndryshimet klimatike, problemet mjedisore, fatkeqësitë natyrore si dhe pasojat e këtyre janë gjithashtu çështje themelore të sigurisë globale që nuk mund të injorohen apo neglizhohen”, u shpreh Altun.

– “Türkiye ka shfaqur një performancë shembullore në luftën kundër terrorizmit për të gjithë botën

Duke theksuar se Türkiye ka shfaqur një performancë shembullore në luftën kundër terrorizmit për të gjithë botën, Altun tha se “Vendi ynë ka zhvilluar, do të vazhdojë të zhvillojë një luftë efektive kundër të gjitha organizatave terroriste nga PKK/YPG e deri te DEASH dhe FETO të cilat kërcënojnë qoftë sigurinë tonë kombëtare, qoftë paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Ai rikujtoi edhe neutralizimin e të ashtuquajturit lider të DEASH-it, terroristit me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurayshi me një operacion të Agjencisë turke të Inteligjencës Kombëtare (MIT) në Siri, duke theksuar se lufta e Türkiye-s ndaj DEASH-it përveç sigurisë së saj kombëtare forcon edhe sigurinë rajonale.

Sipas tij, lufta e Türkiye-s kundër PKK/YPG përveç sigurisë së saj kombëtare, gjithashtu kontribuon edhe në integritetin territorial dhe stabilitetin e Sirisë dhe Irakut ndërsa lufta me FETO-n përveç sigurisë së saj u shërben edhe parandalimit të kërcënimit që kjo organizatë e errët dhe e përgjakshme përbën për vendet ku gjendet.

Ai pohon se Türkiye e cila vazhdon luftën e saj të vendosur kundër këtyre organizatave terroriste nuk ka parë mbështetjen dhe solidaritetin që e meriton në këtë luftë. Altun foli edhe lidhur me marrëveshjen e Korridorit të Grurit, ku Türkiye e mori rolin e ndërmjetësuesit. Ai tha se falë inciativave të Türkiye-s janë ndërmarrë hapa për të lehtësuar presionin mbi zinxhirin global të furnizimit me ushqime.

Mes tjerash, kreu i komunikimeve u ndal edhe në lajmet e rreme dhe dezinformatave, duke theksuar se shtetet, shoqëritë dhe individët duhet patjetër të ndërgjegjësohen dhe të zhvillojnë masa për rreziqet e sigurisë që krijojnë ose mund të krijojnë këto.

“Kudoqoftë në botë dezinformacioni është kërcënim për demokracitë”, tha ai.

Forumi i Sigurisë në Istanbul, i cili mbahet më 2-3 maj, do të trajtojë kërcënimet rajonale dhe globale të sigurisë dhe zgjidhjet, sipas Kryesisë së Komunikimeve. Forumi ndërkombëtar pritet të përfshijë rreth 70 folës vendas dhe të huaj, përfshirë politikanë, akademikë, ekspertë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme