Procesi i Berlinit synon të forcojë dhe thellojë bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe të përshpejtojë integrimin e këtyre vendeve në BE
Në kryeqytetin gjerman Berlin ka filluar Samiti i Procesit të Berlinit, me rastin e 10-vjetorit të themelimit të kësaj nisme, raporton Anadolu.
Në samit nga liderët e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë; kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviq, kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo.
Ndërkaq si mikpritës i takimit është kancelari gjerman Olaf Scholz, bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si dhe liderë të vendeve të tjera përfshirë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, vendi i cili e mban kryesimin e radhës me Bashkimin Evropian (BE).
Procesi i Berlinit, nismë e lançuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, synon të forcojë dhe thellojë bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe të përshpejtojë integrimin e këtyre vendeve në BE.