Fillon restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

“U hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore, për një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë”, ka shkruar në rrjetet sociale kryeministri Rama në lidhje me restaurimin e Xhamisë së Plumbit.

Në Shqipëri ka filluar puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, e cila ndodhet në Shkodër, që do të restaurohet me mbështetjen financiare të Türkiye-s, pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me projektin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar në rrjetet sociale se “U hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore, për një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë”.

Në lidhje me fillimin e zbatimit të projektit në fjalë ka reaguar edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se “Nisi puna për restaurimin dhe rehabilitimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, këtij objekti unik me rëndësi për trashëgiminë kulturore.

Margariti ka theksuar se ky proces po bëhet i mundur falë bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Türkiye-s.

“Projekti, konsiston në zgjidhjen e problemit të përmbytjes, në restaurimin dhe rijetësimin e monumentit të kulturës nëpërmjet rikualifikimit të zonës, duke ia rikthyer atë jo vetëm besimtarëve, por gjithë qytetit”, ka shkruar Margariti.

Xhamia, e cila mbart vlera të rralla arkitekturore në vend, do të restaurohet me mbështetjen financiare të Drejtorë së Përgjithshme të Vakëfeve të Türkiye-s, në kuadër të protokollit të nënshkruar në Ankara mes dy vendeve.

– Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe që ruhet në Shqipëri e stilit osman, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.

Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.

Në vitin 1948 Xhamia e Plumbit u shpall monument kulture, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.

Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.

Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit.

Kategoritë
LajmeRajoni