Njerëzit po i vënë “fajin” filmit të Ralph Fiennes, “The Menu” për mbylljen e Noma-s, që është cilësuar si një nga restorantët më të mirë në botë. Rene Redzepi, 45 vjeç, konsiderohet gjerësisht si një nga kuzhinierët më të mirë në botë dhe Noma është shpallur pesë herë restoranti më i mirë në botë, shkruajnë mediat e huaja.
Drejtuesit njoftuan se biznesi do të mbyllë dyert vitin që vjen dhe do të rihapet si një “shkollë kuzhine.”
“Që të vijojmë të jemi noma, ne duhet të ndryshojmë,” tha pronari i Noma-s, René Redzepi në një njoftim të bërë në uebsajtin e restorantit. Megjithatë, në njoftim nuk shpjegohet se përse restoranti do t’i mbyllë dyert për shërbimet e zakonshme në dimrin e 2024.
Skenari i komedisë përqendrohet te çifti Margo (Anya Taylor-Joy) dhe Tyler (Nicholas Hoult) të cilët udhëtojnë në një ishull të madh për të ngrënë në një restorant të njohur që menaxhohet nga kuzhinieri Slowik (Ralph Fiennes).
Me regji të Mark Mylod, filmi vjen si një qasje e mprehtë jo vetëm për qesharakun e kulturës së ushqimit dhe pijeve, por edhe për politikën klasore dhe elitizmin që shpesh vjen me të.
Pasi filmi u shfaq në Disney+ në fillim të këtij muaji, restoranti me tre yje “Noma” njoftoi se do të mbyllte dyert, dhe shumë përdorues në mediat sociale janë shprehur tashmë se ndoshta nuk bëhet fjalë për një rastësi.
Noma, i drejtuar nga René Redzepi, është një restorant në Kopenhagë, Danimarkë , i cili njihet si një novator i kuzhinës së re nordike. Që nga hapja e dyerve të tij në 2003, ai është cilësuar si restoranti më i mirë në botë.
Një përdorues shkroi në Twitter: Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time që The Menu, ishte një gozhdë në arkivol për Noma-n. Një tjetër shkroi: “Pashë The Menu dje dhe sot mora vesh që Noma po mbyllet,vështirë të mos i lidh këto të dyja në mendjen time.
Pronari i Noma-s, René Redzepi ose (Rexhepi) është me origjinë shqiptare. Babi i tij është shqiptar i Maqedonisë së Veriut ndërsa e ëma daneze.
Kur ishte i vogël, familja e tij u shpërngul në Tetovë deri në vitin 1992. Jetën në RMV, René Redzepi e ka përshkruar si të këndshme, krahasuar me kohën që kaloi në një apartament të vogël në një lagje jo shumw të mirë të Danimarkës.
Te Noma, zakonisht një vakt kushton të paktën 500 dollarë personi. Redzepi tha po ashtu se duke nisur nga 2025, Noma do të bëhet shkollë kuzhine dhe do të shesë produkte online.
“Shërbimi ndaj klientëve do të jetë gjithnjë një pjesë e jona, por të qenit restorant nuk është më një që na karakterizon.”
Redzepi e hapi Noma-n në Kopenhagën në vitin 2003 dhe me kalimin e kohës, restoranti u bë xhevahir i kurorës në sektorin e gastronomisë. Ndërsa pjatat e Noma-s bëheshin gjithnjë e më të njohura, u bë gjithnjë e më e pamundur që të bëje një rezervim në këtë restorant.