Finalja e Conference League/ 100 mijë njerëz pritet të vijnë në Tiranë, angazhohen 1500 forca policie

Më 25 maj në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohet  finalja e Conference League ku do të luajnë Roma Feyenoord.

Ndërkohë  Zyrtari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Andi Verçani, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj ka dhënë detaje në lidhje me ndeshjen.

Ai tha se pritet që në Tiranë të vijnë 100 mijë njerëz, ndërsa shtoi se ky event do të ketë një impakt shumë të madh në ekonominë shqiptare.

Andi Verçani: Kemi hyrë në fazën më të nxehtë të përgatitjeve për finale. Bëhet fjalë për një aktivitet që do të përfshijë rreth 100 mijë njerëz, të cilët do të vijnë në Tiranë dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë shqiptare. Ky impakt do të jetë i shtrirë në vite për faktin se emri i Shqipërisë dhe i Tiranës ka qenë në qendër të qindra mijërave tifozëve kudo ku kanë shkuar.

Më tej ai tha se plani për këtë ndeshje është hartuar para 6 muajsh ndërsa bëri me dije se për këtë event janë vënë në dispozicion disa struktura të shtetit si dhe janë angazhuar 1500 forca policie.

Verçani u shpreh se transporti i personave do të jetë nga Rinasi, porti i Durrësi ai i Vlorës, si dhe turistë do vijnë edhe nga Maqedonia, Mali i Zi e Kosova.

Andi Verçani: Kapaciteti i stadiumit është 21 mijë persona për këtë ndeshje, për faktin se janë bërë disa modifikime për të krijuar kushte për mediat. Për pritjen e personave që do të vijnë në Shqipëri ka një plan të detajuar operacional i cili ka filluar zbatimin e tij. Bëhet fjalë për një plan që është hartuar jo më pak se 6 muaj më parë. Transporti I tifozëve do të jetë nga Rinasi, nga porti I Durrësit, nga porti I Vlorës, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i ZI. Të gjithë këta njerëz do të kenë një itinerari të përcaktuar lëvizshmërie.  Për të shmangur incidentet janë angazhuar rreth 1500 forca policie, por në total janë 4 mijë forca policie të gatshme. Ka një plan të detajuar, ka shumë organizma dhe struktura të shtetit që janë angazhuar për t’u bërë pjesë e kësaj finalje.

Kategoritë
Sport