“Fitorja ruse në Ukrainë, e pashmangshme”, Putin thotë se po ndalon një luftë

Rusia po tenton të ndalojë një luftë, po me një luftë. Presidenti Vladimir Putin, u përpoq të justifikonte atë që vijon të quajë “operacion special ushtarak” në Ukrainë duke theksuar se beteja ka nisur që prej vitit 2014.

Në përvjetorin e 80-të të heqjes së rrethimit 900 ditor të Leningradit të athershëm përgjatë Luftës së Dytë Botërore, shefi i Kremlinit u premtoi veteranëve se do të mbrojë rusët etnikë, të cilët sipas tij janë pre e një diskriminimi sistematik në Ukrainë.

“Ajo çfarë ne po bëjmë, përfshirë operacionin special ushtarak, është një përpjekje për ta ndaluar këtë luftë. Ky është synimi i operacionit tonë, bashkë me mbrojtjen e njerëzve tanë që jetojnë në ato territore”, tha kreu i Kremlinit.

Kievi i refuzon këto pretendime dhe akuzon Moskën se po i përdor ato për të aneksuar territoret ukrainase në një stil kolonial. Dukshëm i frymëzuar nga armatimet që vëzhgoi, Putin u shpreh se fitorja e Rusisë në fushën e betejës është e pashmangshme, falë përshpejtimit të prodhimit të pajisjeve të fuqishme ushtarake.

“Fitorja është e sigurt. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, shtoi Putin.

Ndërkohë, më herët, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov përjashtoi mundësinë e negociatave me presidentin Ukrainas Volodimir Zelenski, mbi ato që i quajti iniciativa të çuditshme të paqes për zgjidhjen e konfliktit.

Gjatë një konference për shtyp në Moskë, shefi i diplomacisë ruse tha se Shtetet e Bashkuara kishin krijuar koalicion me shtetet europiane në të njëjtën mënyrë se si Adolf Hitleri kërkoi një “zgjidhje përfundimtare” për çrrënjosjen e Hebrenjve në Europë.

Kategoritë
BotaLajme