Fjalim i jashtëzakonshëm i presidentit të Austrisë: E djathta mund të marrë mundësinë për të formuar qeverinë

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun ku foli për dorëheqjen e kancelarit të shtetit, Karl Nehammer, dhe negociatat për formimin e një qeverie të re.

Në fjalimin e tij, që u mbajt pas bisedimeve me Nehammer-in, presidenti austriak tha se Nehammer do të qëndrojë në funksionin e kancelarit edhe për disa ditë.

“Nëse kam mësuar diçka gjatë kohës që jam president federal, është se gjithmonë ka situata të reja. Nehammer më tha se dorëzimi do të bëhet në mënyrë të rregullt. Ai do të mbetet kancelar edhe për disa ditë, deri në përfundimin e tranzicionit,” tha Van der Bellen.

Ai theksoi se, pavarësisht dallimeve dhe tërheqjes së NEOS-it, ka përshtypjen se ekzistojnë shanse për një marrëveshje.

“Me gjithatë, doja ta kurseja atdheun tonë nga humbja e kohës. Prandaj nuk ia dhashë Herbert Kickl-it (lideri i FPO-së së djathtë, shënim i red.) detyrën për të formuar qeverinë, sepse Karl Nehammer dhe Andreas Babler (kryetari i SPO-së) nuk donin të hynin në negociata me të. Tani situata ka ndryshuar. Nehammer është larguar. Për këtë arsye, e ftova Kickl-in për një takim të hënën në orën 11:00,” deklaroi presidenti austriak.

Në fund, ai theksoi se demokracia përbëhet nga zgjidhje dhe kompromise.

“Por demokracia nuk mund të ekzistojë pa sundimin e ligjit, ndarjen e pushteteve, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, media të lira dhe të pavarura, si dhe anëtarësimin në BE. Do të vazhdoj të bëj gjithçka që është e mundur për të siguruar respektimin e shtyllave themelore të demokracisë sonë,” përfundoi presidenti i Austrisë.

Kategoritë
BotaLajme