Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, gjatë seancës së djeshme, zgjodhi liderin e ri, por vëmendjen më të madhe e tërhoqi fjalimi i përfaqësueses së Ishujve të Virgjër, Stacey Plaskett.
Gjatë numërimit të votave të përfaqësuesve në dhomën e ulët të Kongresit të SHBA-së, për të zgjedhur mes Mike Johnson dhe Hakeem Jeffries, votat e territoreve amerikane (Samoa, Guam, Ishujt e Virgjër, Porto Riko, Distrikti i Kolumbias, Ishujt Veriorë Mariana) nuk u numëruan.
Në podium doli përfaqësuesja e Ishujve të Virgjër, Stacey Plaskett, e cila mbajti një fjalim që u bë viral në rrjetet sociale.“Dua që të regjistrohet se votat e përfaqësuesve të Samoas, Guamit, Porto Rikos, Distriktit të Kolumbias, Ishujve Veriorë Mariana dhe Ishujve të Virgjër nuk u numëruan. Ne përfaqësojmë katër milionë amerikanë dhe një numër të madh veteranësh. Ju pyes pse nuk përfaqësohemi në këtë numërim,” tha Plaskett.
Pas përgjigjes së kufizuar në “ndjekje të rregullave”, ajo vazhdoi me fjalimin e saj.“Kjo dhomë dhe ky komb kanë një problem me territoret dhe kolonitë. Ajo që supozohej të ishte e përkohshme, tani është kthyer në të përhershme. Duhet të ndërmarrim diçka për këtë problem, për këta katër milionë amerikanë,” tha ajo, përpara se t’i ndërpriteshin mikrofonin. Mikrofoni iu rihap për një moment, kur deklaroi: “Por unë kam një zë!”
Këtu duhet theksuar se përfaqësuesit e këtyre territoreve kanë përfaqësues në dhomën e ulët të Kongresit të SHBA-së, por ata nuk kanë të drejtë vote.
Ata mund të nisin iniciativa ose të flasin para Dhomës së Përfaqësuesve, por u janë mohuar të gjitha të drejtat e votës, duke përfshirë zgjedhjen e liderëve dhe hartimin e ligjeve. Gjithashtu, edhe pse janë qytetarë të SHBA-së, banorët e këtyre territoreve nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet për president.
Ka iniciativa që disa territore, si Distrikti i Kolumbias, ku ndodhet Washingtoni, ose Porto Riko, të bëhen shtete federale, por republikanët vazhdimisht janë kundër këtyre ideve.