Flet karateistja nga Kosova që e mposhti në finale serben: Ndjenjë e mirë për shkak të së kaluarës

Karateistja kosovare Alma Loki, është shprehur e lumtur me medaljen e artë në Kampionatin Ballkanit të mbajtur në Podgoricë, në disiplinën kata.

Loki, theksoi se medalja është e veçantë për të, pasi në finale e mposhti serben Neda Millosheviq.

“Në fakt jam nis me atë mendim që do të fitoj, që të bëhet kaq e madhe nuk ma ka marrë mendja, ndoshta është bërë e madhe për shkak se në finale e kam mposhtur një kundërshtare serbe, për atë e kam pasur një përkrahje të madhe”, u shpreh Loki, e ftuar në Klan Kosova.

Ajo potencoi se gara nuk ka qenë e lehtë pasi në të kanë marrë pjesë kundërshtarë të fortë.

“Por normal, në sport nuk duhet me pas urrejtje. Është ndjenjë e mirë për shkak të kaluarës qysh e kemi me Serbinë. Ndihem mirë që e kam mposhtur, edhe që e kam mundur atë është tepër ndjenjë e mirë. Normal që ka vlerë, është shtysë për mua që të ushtrojë më shumë”, theksoi ajo tutje.

Kategoritë
Sport