Forcat izraelite kanë vrarë dy palestinezë në Bregun Perëndimor të enjten

Forcat izraelite kanë vrarë dy palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, të enjten, gjatë atyre që ushtria i përshkroi si konfrontime të dhunshme, raporton Associated Press.

Dy të vrarët janë në mesin e katër palestinezëve që janë vrarë në dy ditët e fundit në një kohë të tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.

Ushtria izraelite tha se forcat që operojnë në kampin e refugjatëve Dheisheh në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor hapën zjarr pasi ndaj tyre u hodhën gurë dhe bomba të improvizuara. Ndërkaq, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se Ayman Mheisen, 29 vjeç, është në mesin e të vrarëve.

Ministria e Shëndetësisë më vonë tha se një adoleshent u qëllua nga trupat izraelite pranë barrierës ndarëse në perëndim të qytetit të Ramallah, ku është selia e Autoritetit Palestinez. Agjencia e lajmeve Wafa, e drejtuar nga Autoriteti Palestinez, e identifikoi të ndjerin si Auda Sadaqa, 17 vjeç.

Ushtria izraelite tha se tre të dyshuar hodhën një bombë zjarri ndaj forcave që vepronin pranë pengesës, të cilët u përgjigjën me zjarr të vërtetë. Asnjë ushtarë nuk u plagos.

Të mërkurën vonë, forcat izraelite hynë në fshatin Yabed, pranë qytetit verior të Bregut Perëndimor të Jeninit, për të shkatërruar shtëpinë e një sulmuesi të vrarë palestinez, i cili kishte vrarë në mënyrë metodike pesë persona në qytetin izraelit të Bnei Brak në mars.

Kategoritë
BotaLajme