Forcat izraelite rrënojnë dy shtëpi palestineze në Kuds

Makinat ndërtimore të Komunës izraelite të Kudsit shkatërruan dy shtëpi palestineze nën mbrojtjen e forcave izraelite në zonat Sevahire dhe Silvan të Kudsit Lindor

Izraeli shkatërroi dy shtëpi palestineze në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Makinat ndërtimore të Komunës izraelite të Kudsit rrënuan dy shtëpi palestineze nën mbrojtjen e forcave izraelite në zonat Sevahire dhe Silvan të Kudsit Lindor.

Shtëpitë u shembën me pretekstin se nuk kishin leje ndërtimi.

Ndërkohë, pati një përplasje mes palestinezëve që i rezistuan shkatërrimit në Sevahire dhe policisë izraelite, e cila ndërhyri te demonstruesit me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Para shembjes në Silvan, forcat izraelite mbyllën rrugët përreth zonës së prishjes.

Tahsin Ibrahim Bekir, shtëpia e të cilit u shkatërrua në Sevahir, tha për AA se edhe pse ka aplikuar shumë herë, autoritetet izraelite nuk kanë pranuar të lëshojnë leje ndërtimi.

Ai tha se kishte përgatitur shtëpinë e tij të rrënuar për të djalin e tij të fejuar.

“Shtëpia ishte pesë vjet aty. E shkatërruan me arsyetimin se nuk kishte leje. Unë i bëra të gjitha procedurat. Kam dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme, por ata nuk më dhanë asnjë përgjigje. Këtë shtëpi e kisha përgatitur për djalin tim, i cili do të martohet pas një muaji. E fejuam dhe kur do të martohej do të jetonte këtu. Ku do të jetojnë fëmijët tanë? Ata nuk na japin leje ndërtimi. Ku do të jetojmë pra? Kisha përfunduar gjithçka, kuzhinën, dritaret dhe bojën. Më kushtoi më shumë se 200 mijë shekelë (rreth 65 mijë dollarë). Tani më është shkatërruar e gjithë puna e jetës para syve”, tha Bekir.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, palestinezët kanë vështirësi të mëdha në marrjen e lejeve të ndërtimit në Kuds, pasi kostot e tyre arrijnë në dhjetëra mijëra dollarë.

Sipas të dhënave nga Qendra zyrtare e Informacionit e Palestinës, më shumë se 1.900 shtëpi janë shkatërruar në Kuds që nga pushtimi i vitit 1967 nga Izraeli.

Kategoritë
BotaLajme