Forcat speciale hungareze kryejnë stërvitje me Policinë e Republikës Sërpska

Zyrtarët policorë të Qendrës për Luftën kundër Terrorizmit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Hungarisë, dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale kundër Terrorizmit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës Sërpska, po realizojnë të mërkurën stërvitje dhe trajnim, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij entiteti serb të Bosnje-Hercegovinës.

Në njoftim është bërë e ditur se qëllimi i bashkëpunimit është avancimi dhe përmirësimi i aftësive të zyrtarëve policorë që kryejnë detyra dhe operacione të ndërlikuara të sigurisë, dhe se ushtrimet janë të fokusuara në luftën kundër terrorizmit.

Mes tjerash përmendet se ushtrimet po zhvillohen në kuadër të Qendrës së Trajnimit pranë Banjallukës, dhe se njësia nga Hungaria ndodhet në vizitë zyrtare në këtë rajon të Bosnjës.

Drejtori i Policisë së Republikës Sërpska, Sinisha Kostresheviq, dhe drejtori i Qendrës për Luftën kundër Terrorizmit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Hungarisë, Janosh Hajdu, nënshkruan të martën në Banjallukë një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit policor midis Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska dhe Qendrës për Luftën Kundër Terrorizmit të MPB-së së Hungarisë me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të terrorizmit.

Bashkëpunimi përfshin luftën kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, bashkëpunimin teknik dhe shkencor, si dhe bashkëpunimin në fushën e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta për pjesëtarët që kryejnë detyra të ndërlikuara të sigurisë.

Këto aktivitete është thënë se do të vazhdojnë në ditët në vijim në disa lokacione në Republikën Sërpska.

Gjatë seancës së Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, të mbajtur të martën në Banjallukë, presidenti i Republikës Sërpka, Millorad Dodik, deklaroi se në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë arritur 300 forca speciale hungareze.

“Jam marrë vesh me kryeministrin [hungarez, Viktor] Orban që njësia e tyre kundër terrorizmit, 300 persona, të vijnë në Republikën Sërpska dhe të mbajnë stërvitje dhe trajnim së bashku me Njësinë Speciale kundër Terrorizmit të MPB-së së Republikës Sërpska”, ka thënë Dodik, i cili të mërkurën pritet të marrë vendimin e Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.

Kategoritë
LajmeRajoni