“Format i të barabartëve dhe motor i integrimit”, si e spostoi Procesi i Berlinit Ballkanin e Hapur, lexoni konkluzionet

Kryesia e Samitit të Ballkanit të Hapur ka dalë me konkluzionet e samitit të sivjetmë, që u mbajt në Berlin, ku mes tjerash konkludohet se pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit riafirmuan rolin kyç të këtij mekanizmi si shtytës i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues për integrim në BE, duke dhënë mesazh të qartë se nisma për Ballkanin e Hapur nuk do të jetë më alternativë.

“Pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit riafirmuan rolin kyç të Procesit të Berlinit si një shtytës i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtues i procesit të integrimit në BE. Ata theksuan formatin e tij të rëndësishëm gjithëpërfshirës që i trajton të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabartë, i cili shërben si katalizator për integrimin ekonomik, investimet dhe projektet e lidhjes që synojnë nxitjen e pajtimit, sigurisë, rritjes, punësimit dhe prosperiteti”, thuhet në njoftimin e publikuar, raporton Gazeta Express.

Siç thuhet në njoftim, diskutimi u zhvillua duke e analizuar progresin, sfidat e vazhdueshme dhe perspektivat për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, me fokus në tregun e përbashkët rajonal të energjisë.

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” 3 marrëveshje, të dakordësuara më 21 tetor nga ministeriali përgatitor ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve.

Marrëveshjet e nënshkruara:

1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.

Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Si mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Scholz e ka hapur fjalimin e tij me premtimin se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të anëtarësohen në familjen europiane dhe kjo gjë është në interesin e vetë rajonit.

“6 vendet e Ballkanit i përkasin Evropës së lirë dhe anëtarësimi i tyre në BE është në interesin tonë. Premtimi për të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor është puna jonë për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot”, ka thënë Scholz

Kategoritë
LajmeVendi