Formohet komision i përbashkët Kosovë-Serbi për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes

BE njofton se themelimi i këtij komisioni bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç përcaktohet në aneksin e zbatimit

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë të ditur se është themeluar Komisioni i Përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur midis Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të saj të zbatimit të arritur më 18 mars në Ohër, transmeton Anadolu.

BE njofton se themelimi i këtij komisioni bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç përcaktohet në aneksin e zbatimit.

“Komisioni i Përbashkët për Monitorim do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Pektoviq”, thekson njoftimi i BE-së.

Gjithashtu njoftohet se ky komision do të takohet rregullisht në Bruksel, ndërsa takimi i parë do të ndodhë pas datës 2 maj, atëherë kur planifikohet takimi midis kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sot, kryeministri Kurti tha për mediat se marrëveshja paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.

“Ne jemi zotuar dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj marrëveshjeje bazë dhe aneksit përkatës për implementim. Dhe, tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë“, tha Kurti.

Marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u bë publike më 27 shkurt, kërkon nga dy vendet fqinje që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi