Forumi Ekonomik në Delphi, kryeministrin Kurti takon të dërguarin britanik për Ballkanin Perëndimor

Kurti në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, me të dërguarin e posaçëm britanik diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik vjetor në Delphi që organizohet nën patronatin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, me të dërguarin e posaçëm britanik diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon.

Kurti falënderoi për britanikun për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar që në fillim të kësaj jave u “konfirmua edhe në rastin e pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

Kurti dhe Peach diskutuan për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin “të qeta, paqësore dhe pa incidente”.

“Në takim gjithashtu u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, si dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të martën e javës së ardhshme”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Krahas takimeve, sot pasdite kryeministri Kurti po ashtu do të jetë pjesëmarrës në një panel në kuadër të forumit, me titull “Ballkani Perëndimor në fushën e re të shahut të gjeopolitikës”.

Kategoritë
LajmeVendi