FOTO/ I zhdukur që në maj, amerikani gjendet në burgun e regjimit të Bashar al-Assad

Një shtetas amerikan, i moshës 30 vjeç, është gjetur nga rebelët në një nga burgjet e regjimit të rrezuar të Bashar al-Assad.

I riu, i identifikuar si Travis Timmerman, siç raporton BBC, është shpallur i zhdukur që në muajin maj të këtij viti, pasi për herë të fundit ishte parë në Budapest të Hungarisë.

Sipas 30 vjeçarit, dy burra, të pajisur me çekiç, thyen derën e burgut të tij, duke e liruar kështu atë. Ai mendoi se ishte ende në kushte “mbijetese”, vetëm për të kuptuar më pas se ishte lënë i lirë, pa ‘luftë’.

I kontaktuar nga një gazetar i CBC, Timmerman u shpreh se vendasit e kanë ndihmuar me ushqim dhe pije, duke deklaruar kështu se është mirëmbajtur.

Ai tha se përgjatë dënimit të tij, rreth 3 javë më parë u lejua që të kontaktonte me familjen e tij, ndaj dhe shprehet se është trajtuar ‘relativisht mirë’ si i burgosur.

“Isha në rregull. Më kanë dhënë ushqim e uji. Një nga problemet që kam hasur është se nuk mund të shkoja në tualet kur më nevojitej. Nuk më kanë goditur dhe garda më ka trajtuar mirë”, u shpreh 30 vjeçari.

Mijëra të burgosur janë liruar që nga rënia e Asadit gjatë fundjavës.

Shumë burra, gra dhe në disa raste fëmijë kanë dalë nga qelitë e mbipopulluara pa dritare, shpesh të çorientuar dhe të pavetëdijshëm për ngjarjet që kishin ndodhur jashtë.

Ai refuzoi mundësinë që të vihej në kontakt me zyrtarët amerikanë.

Forcat rebele fitimtare kanë thënë se planifikojnë të mbyllin burgjet e Asadit dhe të gjurmojnë ata që janë përfshirë në vrasjen ose torturimin e të burgosurve.

Kategoritë
BotaLajme