Fotografia me gratë e AKI-së, reagon Presidenca: U publikua me vlerësimin dhe lejen e tyre

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme, për nder të 8 marsit, festës së gruas, ka vizituar disa institucione të Kosovës.

Në mesin e tyre, Osmani ka vizituar edhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, ku ka publikuar një fotografi me gratë e AKI-së, të cilat ishin kthyer me shpinë, duke u munduar të mos zbulojnë identitetin e tyre.

Kjo fotografi ka shkaktuar shumë reagime në vend, dhe pas këtyre reagimeve, këshilltari politik i presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar për Gazetën Nacionale se praktika të tilla kanë ekzistuar edhe më herët.

Kupina gjithashtu ka sqaruar qëllimin e Osmanit për publikimin e asaj fotografie.

“Praktika e publikimit të fotografive të shërbimit inteligjent pa zbuluar identitetin ka ekzistuar edhe më herët në Kosovë. Fotoja e Presidentes është publikuar me lejen dhe vlerësimin e AKI-së. Publikimi i fotos së Presidentes me gratë e inteligjencës ka pasur për qëllim të vlerësojë punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare. Në këtë foto, identiteti i tyre nuk ekspozohet dhe nuk cenohet asnjë standard i sigurisë. Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit.” – ka thënë Kupina.

Ai gjithashtu ka shpërndarë disa fotografi për të treguar se edhe më herët ka pasur praktika të tilla dhe se Presidenca vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së standardeve më të larta të konfidencialitetit dhe profesionalizmit.

“Është për të ardhur keq që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në vend që të vlerësohet roli dhe kontributi i grave në një fushë sfiduese si inteligjenca, po bëhet fushatë me komente fyese dhe të padrejta ndaj tyre. Gratë që shërbejnë me përkushtim në sigurinë kombëtare meritojnë respekt dhe mbështetje, jo paragjykime.” – ka shkruar Kupina në reagim.

Fotografitë që Kupina i ka shpërndarë, të cilat sipas tij tregojnë se kjo praktikë është përdorur edhe më herët.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi