Xhami i thyer dhe dera e dëmtuar, të mbuluara me shiritin e policisë, tregojnë hyrjen në banesën ku besohet se ka jetuar i dyshuari për të shtënat masive të fundit në Suedi.
Transmetuesi kombëtar suedez dhe disa media të tjera kanë identifikuar Rickard Andersson (35) si personin që qëlloi dhe vrau 10 persona, si dhe veten, në një qendër të arsimit për të rritur në Örebro të Suedisë.
E pyetur nëse policia ka kontaktuar ndonjë anëtar të familjes së Andersson-it, hetuesja kryesore Anna Bergqvist u përgjigj për CNN:
“Ende nuk kemi identifikim. Do të duhen disa orë ose ditë derisa ta kemi atë, por sigurisht që kemi biseduar me të afërmit e tij.”
Hellen Werme ishte një nga personat që ndodheshin në shkollën për të rritur ku ndodhi të shtënat dhe njëkohësisht është nënë e dy fëmijëve.
Gjatë sulmit, ajo u fsheh nën një shtrat.
Policia bëri të ditur se i dyshuari nuk ishte i njohur për ta, nuk kishte lidhje me ndonjë bandë dhe ka të ngjarë të mos ketë vepruar nga motive ideologjike.
Fqinjët e tij deklaruan për mediat se nuk e kishin parë apo dëgjuar ndonjëherë në lagje. Ai kishte leje për katër lloje armësh, të cilat policia i kishte konfiskuar, ndërsa tre prej tyre u gjetën pranë tij kur u rrethua nga policia.
Fqinjët thanë se ishte e çuditshme që nuk e kishin parë asnjëherë.
Emri dhe numri i sigurimit social i Andersson-it përputheshin me adresën e regjistruar nga agjencia suedeze e taksave.
Agjencia deklaroi për CNN se, sipas të dhënave të deritanishme, nuk ka regjistruar “asnjë të ardhur nga puna” për Andersson-in që nga viti 2015.
Sa i përket viktimave, është bërë e ditur se ato kishin “kombësi të ndryshme, moshë të ndryshme dhe gjini të ndryshme”, ndërsa motivi ende nuk është konfirmuar.