Si lojtar nuk ke çfarë t’i thuash. Enzo Fernandez padyshim është një talent dhe një dhuratë për kombëtaren e Argjentinës e për “Blutë” e Chelsea, por kur vjen puna tek sjellja këtë herë çaloi, madje fort.
Pas këngës së tij raciste kundër yjeve të Francës, nën entuziazmin e fitores së Kupës së Amerikës, për Fernandez erdhën reagimet e para.
Federata Franceze e Futbollit e denoncoi sjelljen e tij dhe të disa lojtarëve të tjerë argjentinas, pasi kënduan duke u tallur me futbollistët e Kombëtares së Francës, duke i quajtur ata afrikanë që kanë vetëm dokumenta franceze dhe tashmë pritet që FIFA të nisë një hetim për këtë sjelle, dhe padyshim që mund të ketë ndëshkime.
Një proces disiplinor mund të fillojë edhe te Chelsea, ekip për të cilin Enzo Fernandez luan në elitën e futbollit anglez.
Shoku i tij i skuadrës, Wesley Fofana, e kritikoi ashpër sjelljen e tij, dhe mediat angleze shkruajnë për “luftë civile te Chelsea”.
Fernandez botoi në rrjetet sociale një video të këngës që u këndua në dhomën e zhveshjes pas suksesit në finalen ndaj Kolumbisë në Majemi, me këngën që mund të konsiderohet plotësisht raciste ka këto fjalë.
“Ata luajnë në Francë, por ata janë nga Angola, ata vrapojnë mirë, duan të flenë me transgjinorë, nënën e kanë nigeriane, babanë nga Kameruni, por pasaporta e tyre thotë franceze!”,- teksa kujtojmë se ky krijim u dëgjua vitin e kaluar, i kënduar nga tifozët argjentinas pasi kombëtarja e tyre, me kapiten Lionel Mesin, fitoi Kupën e Botës në Katar.