Franca kalon një natë të dhunshme, 457 të arrestuar

Gjatë protestave në mbarë Francën u plagosën 441 policë dhe u regjistruan 933 zjarre

Franca u kthye në një arenë dhune të enjten pasi më shumë se 1 milion qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar reformën që do të rriste gradualisht moshën e pensionimit në 64 vjeç, raporton Anadolu.

Kjo ishte greva e nëntë që nga janari, ku mijëra punëtorë protestuan dhe u larguan nga sektorë të ndryshëm, përfshirë transportin, energjinë dhe arsimin.

Grupet e dhunshme u infiltruan në protestat në Paris, Bordo dhe Lion duke shkaktuar trazira në rrugët e qyteteve franceze. Ata i vunë flakën kontejnerëve, mbeturinave dhe portave të ndërtesave, hodhën shishe drejt bankave dhe policisë.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin tha sot për CNEWS se 457 persona u arrestuan të enjten në mbrëmje në të gjithë Francën. Ai tha se 441 policë u plagosën ndërsa u regjistruan 933 zjarre.

Darmanin shprehu shqetësimin për praninë e lartë të grupeve ultra të majtë në protesta.

Franca është përballur me protesta të vazhdueshme që nga 16 marsi, kur presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne vendosën të përdorin fuqitë kushtetuese për të miratuar një ligj për reformën e pensioneve pa pëlqimin e Parlamentit.

Gjatë protestave ka pasur dhunë dhe vandalizëm.

Reformat përfshijnë rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç si dhe të paktën 43 vjet punë për t’u kualifikuar për një pension të plotë. Plani ka ngjallur zemërim publik që kur u njoftua vitin e kaluar, me protesta dhe greva masive në të gjithë vendin që nga janari.

Kategoritë
BotaLajme