Franca me qeveri të re përballë sfidave politike dhe borxhit të thellë publik

Presidenti dhe kryeministri i Francës arritën të formojnë një qeveri të re, në prag të festave të fundvitit. Tani ata i pret punë e vështirë.

Borxhi, trysnia në rritje nga e djathta ekstreme nacionaliste, luftërat në Evropë dhe në Lindjen e Mesme janë ndër sfidat e shumta me të cilat do të përballen Presidenti Emmanuel Macdon dhe Kryeministri Francois Bayrou, pas një viti të trazuar 2024.

Një nga çështjet më të rëndësishme është miratimi i buxhetit të vitit 2025. Tregjet financiare, agjencitë e vlerësimit dhe Komisioni Evropian po e shtyjnë Francën të ulë deficitin e saj, të respektojë rregullat e Bashkimit Evropian që kufizojnë borxhin dhe të mos lejojë që kostot e huamarrjes së Francës të dalin nga kontrolli, që do të kishte pasoja për qëndrueshmërinë e të tërë shteteve në euro-zonë.

Aktualisht, borxhi i Francës vlerësohet të ketë arritur shifrën prej 112 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Borxhi u rrit pas ndihmave që qeveria dha për bizneset dhe punonjësit gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa koronavirusi pengoi rritjen ekonomike dhe lufta në Ukrainë ndikoi tek çmimet e energjisë.

‘’Situata politike është e vështirë. Situata ndërkombëtare është e rrezikshme dhe konteksti ekonomik është i brishtë”, tha ministri i sapozgjedhur i Financave, Eric Lombard, një bankier i profilit të ulët që këshilloi qeverinë socialiste gjatë viteve 1990.

Sa do të zgjasë kjo qeveri?

Kjo është qeveria e katërt e Francës gjatë vitit të fundit. Asnjë parti nuk ka një shumicë parlamentare dhe kabineti i ri mund të mbijetojë vetëm me mbështetjen e ligjvënësve të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë.

Qeveria e fundit u rrëzua me ndihmën e zonjës Marine Le Pen, kundërshtarës më të ashpër të Presidentit Macron, e cila iu bashkua forcave të krahut të majtë për ta përmbysur.

Kryeministri i ri Bayrou u konsultua me zonjën Le Pen kur po krijonte qeverinë e re dhe ajo mbetet një personalitet i fuqishëm.

Ndërkohë, votuesit e majtë po ndihen të tradhëtuar për shkak se nuk arritën të kishin një ndikim më të madh në qeveri përkundër fitores në zgjedhjet e verës.

Mundësia që qeveria të përballet me një votë mosbesimi ende ekziston.

Cila është pozita e Presidentit Macron?

Presidenti Macron ka thënë vazhdimisht se ai do të qëndrojë në pozitën e presidentit deri në përfundim të mandatit të tij në vitin 2027.

Por nëse kjo qeveri e re bie brenda muajsh dhe shteti përballet me një ngërç politik, trysnia do të shtohet ndaj Presidentit Macron që të japë dorëheqje dhe të caktojë zgjedhjet e parakohshme.

Partia Bashkimi Kombëtar i zonjës Le Penn synon që ta rrëzojë Presidentin Macron nga pushteti. Por ajo vetë po përballet me probleme: një vendim gjyqësor mbi një pretendim për financimin e jashtëligjshëm të partisë mund t’ia ndalojë kandidimin për presidente të vendit.

Çështjet tjera urgjente

Partia Bashkimi Kombëtar dhe Ministri i Brendshëm i të djathtës së skajshme Bruno Retailleau duan rregulla më të ashpra emigracioni.

Shpenzimet për çështjet e mbrojtjes janë një çështje kyçe për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë evropiane dhe trysnisë së Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump që Evropa të shpenzojë më shumë fonde për mbrojtjen.

Presidenti Macron, ndërkohë, po kërkon miratimin e një ligji për emergjenca në fillim të janarit, i cili do të lejonte rindërtimin e shpejtë të arkipelagut francez Mayotte në Oqeanin Indian, që u shkatërrua nga cikloni./VOA/

Kategoritë
BotaLajme