“Do të lejohen vetëm flamujt francezë dhe izraelitë, si dhe mesazhet që mbështesin skuadrat. Stadiumet nuk janë vend për mesazhe politike, kjo është ligj”, tha prefekti i Parisit, Laurent Nunez.
Pas trazirave të javës së kaluar në një ndeshje të Holandës, autoritetet franceze i kanë ndaluar spektatorët që të sjellin flamurin palestinez në ndeshjen e futbollit Francë-Izraeli, që do të zhvillohet këtë të enjte në një periferi të Parisit, transmeton Anadolu.
“Do të lejohen vetëm flamujt francezë dhe izraelitë, si dhe mesazhet që mbështesin skuadrat. Stadiumet nuk janë vend për mesazhe politike, kjo është ligj”, tha për mediat franceze prefekti i Parisit, Laurent Nunez.
Personeli i sigurisë në ‘Stade de France’ do t’i nënshtrojë spektatorët dy herë në kontrolle sigurie dhe në kontrolle identiteti rreth stadiumit në Saint-Denis, që ndodhet në periferinë veriore të Parisit. Kushdo që refuzon kontrollet nuk do të pranohet në stadium.
Policë me rroba civile gjithashtu do të patrullojnë stadiumin gjatë ndeshjes dhe zyrtarët nuk do të lejojnë spektatorë në tribunat afër fushës. Ekipi special i policisë ‘RAID’ do të sigurojë sigurinë për futbollistët izraelitë.
Autoritetet izraelite kanë këshilluar qytetarët e tyre të mos marrin pjesë në ndeshje.
Sipas raporteve të mediave lokale, vetë presidenti francez, Emmanuel Macron, planifikon të marrë pjesë në ndeshjen midis Francës dhe Izraelit, e cila zhvillohet në mes të ofensivës së vazhdueshme izraelite ndaj Rripit të Gazës, ku që nga tetori i vitit të kaluar Izraeli ka vrarë të paktën 43 mijë palestinezë dhe ka plagosur 103 mijë të tjerë.
Masa emergjente në Paris
Në zonën e sigurisë përreth stadiumin, në ditën e ndeshjes gjithashtu do të kërkohet akreditim për të hyrë.
Mbështetësve u është kërkuar të mos sjellin çanta apo shishe në stadium dhe pasdite, para ndeshjes, do të mbyllen dyqanet pranë stadiumit.
Në ditën e ndeshjes gjithsej 4 mijë policë dhe xhandarmëri do të jenë në detyrë në kryeqytetin Paris dhe në Saint-Denis, si dhe 1.400 punonjës në stadium.]
Të enjten e kaluar, tifozët e skuadrës Maccabi Tel Aviv shkaktuan bujë duke sulmuar tifozët palestinezë dhe duke i provokuar ata para dhe gjatë ndeshjes së UEFA Ligës së Evropës kundër skuadrës Ajax Amsterdam në Holandë.