Franca riatdheson nga kampet e Sirisë 40 fëmijë dhe 15 nëna

Ministria franceze tha se të miturit janë transferuar në “shërbimet e mirëqenies së fëmijëve dhe do t’i nënshtrohen monitorimit mjekësor-social”, ndërsa “të rriturit janë dorëzuar në organet e drejtësisë”

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka njoftuar se vendi ka riatdhesuar 40 fëmijë dhe 15 nëna nga kampet në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria franceze tha se të miturit janë transferuar në “shërbimet e mirëqenies së fëmijëve dhe do t’i nënshtrohen monitorimit mjekësor-social”, ndërsa “të rriturit janë dorëzuar në organet e drejtësisë”.

Në njoftim theksohet se ky është një operacion i ri për riatdhesimin e shtetasve francezë që ndodheshin në kampet e Sirisë verilindore, si dhe përgëzohen autoritetet lokale në Sirinë verilindore për bashkëpunimin e tyre, gjë që e bëri të mundur transferimin.

Ky është transferimi i parë nga Franca që kur qeveria franceze më 14 shtator u dënua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për hezitimin e saj për riatdhesimet.

Gjykata tha se “qeveria duhet të shqyrtojë sa më parë” të gjitha kërkesat për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve francezë të ndaluar në kampet në Sirinë verilindore.

Transferimi i fundit që përfshin gratë vjen disa muaj pasi grupi i parë prej 16 nënave dhe 35 fëmijë u riatdhesuan më 5 korrik.

Fillimisht, Franca pranoi të riatdhesonte vetëm një pjesë të vogël të të miturve, situata e të cilëve vlerësohej rast pas rasti.

Gjithsej 17 fëmijë, shumica e të cilëve ishin jetimë, si dhe një vajzë e vogël që vuante nga sëmundjet e zemrës u riatdhesuan në muajt mars dhe qershor të vitit 2019.

Në qershor të vitit 2020, dhjetëra fëmijë të tjerë francezë arritën të kthehen në Francë.

Në janar të vitit 2021, shtatë të mitur “të cenueshëm” u riatdhesuan nga një kamp në Sirinë verilindore.

Vendet evropiane po përballen me sfidën se si t’i trajtojnë qytetarët e tyre të ndaluar në Siri prej vitesh që nga përfundimi i operacioneve ushtarake kundër grupeve terroriste në vitin 2019.

Kategoritë
BotaLajme