Francë, greva e punonjësve të karburanteve përhapet edhe në centralet bërthamore

Punonjësit në disa centrale bërthamore kryesisht në Gravelines kanë filluar grevë duke lënë punën me kërkesën për rritje bruto të pagës me 5 për qind.

Grevës së punonjësve të karburanteve dhe rafinerive të naftës në Francë i janë bashkuar edhe punonjësit e centralit bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave franceze, punonjësit në disa centrale bërthamore kryesisht në Gravelines kanë filluar grevë duke lënë punën me kërkesën për rritje bruto të pagës me 5 për qind.

Teksa pritet që greva të ndikojë negativisht në prodhimin e energjisë elektrike, bëhet e ditur se janë ndërprerë punimet edhe në reaktorin e 6-të që ndodhet nën mirëmbajtje.

Për shkak të shtyrjes së aktiviteteve të mirëmbajtjes gjatë krizës energjetike në Francë, parashikohet që të ketë ndërprerje të mëdha në prodhim në sezonin e dimrit në të cilin ndjehet nevoja më e madhe për energji elektrike.

Përfaqësuesi i Sindikatës, Franck Redondo tha se në mënyrë që popullata të mos përjetojë problem kanë garantuar që shërbimet e shëndetësisë dhe ato publike nuk do të ndikohen nga ndërprerja elektrike dhe se kjo mund të shkaktojë probleme negative vetëm për kompanitë e mëdha.

Bëhet e ditur se EDF, furnizuesi kryesor i energjisë në vend do të përshpejtojë rregullimin që do të bëjë për pagat në nëntor për të parandaluar përshkallëzimin e krizës.

Në anën tjetër, me arsyen se nuk ka pasur rezultat pavarësisht takimit që mbajtën dje drejtuesit e kompanisë dhe përfaqësuesit e sindikatave, punonjësit e “TotalEnergies” kanë marrë vendim që të vazhdojnë grevën e nisur në fund të shtatorit e cila shkaktoi krizë në furnizimin me karburant në vend.

Grevës që filloi në fund të muajit të shkuar nga CGT, sindikata më e madhe e punëtorëve në vend në 3 prej 6 rafinerive të “TotalEnergies” në Francë me kërkesën për rritje me 10 për qind të pagave dhe për të protestuar ndalimin e punësimeve, iu bashkuan edhe punonjësit e dy rafinerive të “Esso-ExxonMobil”, kompanisë amerikane të naftës.

Pas përhapjes së grevave në një pjesë të rëndësishme të pikave të karburanteve në vend filloi problemi për karburante.

Teksa në shumë pika karburanti u panë radhë të gjata, në disa rajone u vendosën kufizime për shitjen e karburantit.

Qeveria u bëri thirrje sindikatave dhe kompanive për dakordim dhe në rast të kundërt kërcënoi se do të ndërmarrë sanksione.

Kategoritë
BotaLajme