Francë, ndalohen protestat përreth shkollës që do të vizitojë Macron

Protestat masive në Francë filluan më 16 mars pasi qeveria mori vendim për të miratuar pa votim në Parlament projektligjin i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç

Nuk do të lejohet mbajtja e protestave përreth shkollës së mesme që presidenti Emmanuel Macron do të vizitojë në qytetin Charente-Maritime të Francës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar me nënshkrimin e guvernatorit të rajonit, Nicolas Basselier thuhet se sot nga 07:30 deri në orën 18:00 janë të ndaluara të gjitha protestat dhe tubimet në lagjen Saintes në të cilën ndodhet shkolla e mesme “Bernard Palissy”.

Po ashtu në deklaratë thuhet se mund të gjobiten deri në 7.500 euro ata të cilët nuk e zbatojnë ndalesën. Macron do të prezantojë reformën e arsimit profesional në vizitën e tij që do zhvillojë sot në shkollën në fjalë me ministrin e Arsimit, Pap Ndiaye dhe ministrin e Punës, Olivier Dussopt

Në mesin e temave kryesore të reformës, përfshihen parandalimi i largimeve nga shkolla, zhvillimi i integrimit profesional dhe përmirësimi i kushteve të punës së mësuesve.

Deputetja franceze, Segolene Amiot ka ndarë nga llogaria e saj në Twitter vendimin në fjalë të prefekturës dhe ka reaguar me shprehjen “Thoni demokraci?”. Ndërkohë edhe sindikatat pavarësisht vendimit kanë ftuar anëtarët e tyre që në orën 09:00 të mbajnë protestë para shkollës së mesme.

Kundër Macron-it dhe qeverisë së tij po mbahen protesta njëra pas tjetrës në të gjithë vendin që kur qeveria franceze vendosi në janar në rend dite “reformën e pensioneve” që zgjat moshën e pensionit me 2 vite dhe e cila u legjitimua në prill.

Reforma e pensioneve

Protestat masive në Francë filluan më 16 mars pasi qeveria mori vendim për të miratuar pa votim në Parlament projektligjin i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Në shumë pjesë të vendit u shënuan ngjarje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë e cila kryen ndërhyrje të ashpër ndaj protestuesve. Në protestat e mbajtura në të gjithë vendin që nga 16 marsi e deri më tani janë arrestuar mbi 1.000 persona.

Këshilli Kushtetues të cilit opozita dhe qeveria iu drejtuan për të përcaktuar nëse reforma është apo jo në përputhje me kushtetutën, miratoi projektligjin që rrit moshën e pensionit në 64 vjeç dhe rrëzoi tërësisht ose pjesërisht 6 pikat.

Projektligji në fjalë u botua në “Gazetën Zyrtare” pasi u nënshkrua nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kategoritë
BotaLajme