Francë – Një qytetar bën kallëzim penal kundër Presidentit Macron

Në Francë, një burrë 63-vjeçar i pavaksinuar kundër llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) ka paraqitur një kallëzim penal kundër Presidentit Emmanuel Macron, pasi tha se ai dëshiron “t’i bezdisë ata që nuk janë vaksinuar’.

Didier Lalande, një pensionist nga rajoni Rosiers-d’Egletons në jug të vendit, e quajti deklaratën e Macron-it si “diskriminuese”, njoftuan mediat franceze.

“(Për të pavaksinuarit) kufizime po vendosen, unë e respektoj këtë, por e shoh të patolerueshme të vihet në dyshim shtetësia e të pavaksinuarve”, deklaroi Lalande, duke shtuar se kishte bërë kallëzim penal kundër Macron.

Ai tha se e di që ky kallëzim penal nuk do të zgjidhej, por shtoi se ky është një akt simbolik.

Emmanuel Macron i tha gazetës “Le Parisien” më 4 janar se do të ushtrojnë presion ndaj njerëzve të pavaksinuar duke kufizuar jetën shoqërore.

Macron tha se më shumë se 90 për qind e të rriturve janë të vaksinuar.

“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në fund. Kjo është strategjia. Unë nuk do t’i dërgoj në burg, nuk do t’i nxjerr me forcë. Por nga 15 janari nuk do të mund të shkojnë në restorant, nuk do të mund të pinë kafe (në kafe), nuk do të mund të shkojnë në teatër dhe kinema”, ka thënë Macron.

Kategoritë
BotaLajme