Në stadiumin parizian Saint Denis luhet sonte një ndeshje me rrezik të lartë, një përballje nga e cila Evropa ka frikë, mes Francës dhe Izraelit në xhiron e pestë të Ligës së Kombeve.
Pas trazirave të fundit që çuan në përleshje në Amsterdam gjatë një ndeshjeje mes vendasve dhe tifozëve të Maccabi Tel Aviv, sonte do të zhvillohet ndeshja në Francë me masa sigurie të paparë ndonjëherë për të pritur ekipin izraelit.
Organizatorët e ndeshjes mund të kishin vendosur ta luanin ndeshjen pa praninë e tifozëve mysafirë, gjë që do të zvogëlonte mundësitë për trazira, por ata vendosën t’i lejojnë një grup më të vogël izraelitësh të jenë të pranishëm në stadium. Sipas informatave të fundit, në Saint Denis do të ketë rreth 200 tifozë nga Izraeli.
Për dallim, ndeshjen do ta sigurojnë një numër i jashtëzakonshëm prej 4,000 policësh. Forcat e policisë dhe xhandarmërisë jo vetëm që do të sigurojnë tifozët mysafirë gjatë transportit dhe përreth stadiumit, por do të jenë të pranishëm edhe brenda objektit.
Masat e sigurisë janë ngritur në nivelin më të lartë ndonjëherë, duke e kthyer stadiumin Saint Denis në një bunker të vërtetë për të parandaluar çdo sulm të mundshëm ndaj izraelitëve. Francezët kanë pranuar gjithashtu të zvogëlojnë numrin e shikuesve, dhe në tribuna do të jenë më pak se 20,000 tifozë, çka është një numër i vogël për këtë stadium të madh (kapaciteti prej 80,000 vendesh).
Sipas gazetës italiane të mirënjohur Gazzetta dello Sport, francezët kanë pranuar të humbasin miliona për të organizuar këtë ndeshje. Gazzetta raporton se humbjet për francezët do të jenë 3,5 milionë euro, të cilat do të mbulohen nga Federata Franceze e Futbollit (FFF).
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit do të luhet sonte në orën 20:45 në Paris. Vendasit kanë një mundësi për të siguruar kalimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve, ndërsa Izraeli pritet që sonte të sigurojë rrugën drejt një kategorie më të ulët në Ligën e Kombeve.