Freeman kishte veshur vetëm një dorezë gjatë performancës së tij prekëse në KP, arsyeja është tragjike

Aktori legjendar amerikan Morgan Freeman mbrëmë ka përfunduar hapjen e Botërorit në Katar me një performancë prekëse. Gjatë fjalimit të tij me mesazhin e bashkimit, ai ka veshur vetëm një dorezë dhe pas çdo gjëje fshihet një arsye tragjike.

Freeman tërhoqi shumë vëmendjen e publikut gjatë fjalimit të tij mbrëmë në hapjen e Kupës së Botës në Katar, ku në skenë iu bashkua edhe ambasadori i spektaklit, Ghanim Al Muftah.
Por, përveç mesazhit prekës që aktori dërgoi për publikun, disa personave u ra në sy edhe doreza që fituesi i Oskarit mbante vetëm në dorën e majtë. Pas çdo gjëje fshihet një arsye e trishtuar dhe tragjike.

Gjegjësisht, bëhet fjalë për një dorezë kompresioni që aktori veteran 85-vjeçar e mban prej vitesh, pasi dora e majtë i ishte paralizuar pas një aksidenti automobilistik 14 vite më parë.
Edhe pse aktori e ka veshur prej gati vitesh, normalisht e fsheh me mjeshtëri dorën, madje edhe vetë dorezën, por këtë herë ka vendosur ta mbajë në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës, prandaj ka rënë veçanërisht në sy të publikut.

Freeman pësoi lëndime të rënda pas aksidentit në 2008 dhe ishte me fat që ishte gjallë. Makina e tij, e cila u përmbys disa herë, përfundoi në një kanal, ndërsa aktori u largua nga vendi i aksidentit me helikopter.

Freeman ende vuan dhimbje të vazhdueshme nga një gjendje kronike e muskujve – fibromialgjia, që rrjedh nga një shpatull i thyer që ai pësoi në një aksident. Krahu i tij pësoi dëmtime të rënda nervore, të cilat as mjekët nuk ishin në gjendje ta riparonin, dhe një dorezë kompresioni përdoret për të ruajtur rrjedhjen e gjakut.

Në performancën e mbrëmshme, të kujtojmë, Freeman dhe Al Muftah i kënaqën të gjithë me fjalën e tyre.

Ftesën e kemi bërë sepse të gjithë janë të mirëpritur. Kjo është një ftesë për të gjithë botën”, tha aktori.

Në fund, dyshja ranë dakord se “ajo që na bashkon këtu, në këtë moment, është shumë më e madhe se ajo që na ndan”.

“Përmes të gjitha dallimeve në gjuhë ekziston një fije e përbashkët shprese, ngazëllimi dhe respekti. Ne mund të mos i kuptojmë fjalët, por thellë thellë duhet të vlerësojmë dhe kuptojmë emocionet që na lidhin të gjithëve,” tha Freeman.

Performanca e tyre mori duartrokitje të forta nga publiku dhe shikuesit nga e gjithë bota treguan respekt të madh për legjendën e filmit./Gazetaere

Kategoritë
Sport