Fronti i ri i Rusisë në Ballkan është gati të shpërthejë

Nga Harun Karcic “National Interest

“Nëse tregohemi sërish të lëkundur, Ballkani do të zhytet sërish në luftë!”, paralajmëroi ish-shefi i diplomacisë britanike, William Hague. Menjëherë pas këtij alarmi, kryeministri britanik Boris Johnson emëroi shefin e “Air Marshall”, Sër Stuart Peach si të dërguarin e tij për Ballkanin Perëndimor.

Johnson deklaroi:“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tij në më shumë se 2 dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi, për të ruajtur arritjet atje falë paqes dhe dialogut, dhe nuk mund të lejojmë asnjë rikthim tek dhuna dhe ndarjet e të shkuarës”.

Luftërat në Ballkan shpërthejnë tradicionalisht në pranverë ose verë, teksa tensionet politike i paraprijnë disa muajt më herët. Këtë vit, vjeshta zakonisht e ftohtë, u karakterizua nga tensione të nxehta dhe luftënxitëse mbi mesataren edhe për standardet ballkanike.

Nëse ka një njeri që është përgjegjës për përkeqësimin e stabilitetit në Bosnje Hercegovinë, dhe që mund të ketë një efekt përhapës, ai është Milorad Dodik. Ultra-nacionalisti i zjarrtë serb, që mban postin e anëtarit të presidencës trepalëshe të vendit, ka dominuar tituj kryesorë të lajmeve gjatë dekadës së fundit, sepse po punon hapur për shkatërrimin dhe copëzimin e vendit të tij.

Dodik dhe pasardhësit e tij, kanë mbrojtur për vite me radhë për krijimin e mini-shtetit të tyre në stilin e Abkhazisë, që do të përfshinte 49 për qind të vendit. Ky do të përbënte zbatimin e fundit të aspiratave nacionaliste serbe që datojnë nga vitet 1990.

Ajo që mbron sot Milorad Dodik, nuk ndryshon nga ajo që kërkonin kriminelët famëkeq të luftës si Radovan Karadzic dhe gjenerali Ratko Mladic rreth 30 vjet më parë. Kohët e fundit, serbët e Bosnjës janë zotuar të rikrijojnë ushtrinë e tyre, duke kërcënuar madje se do t’i dëbojnë trupat e ushtrisë boshnjake nga kazermat e tyre të vendosura në gjysmën serbe të vendit.

Dodik ka paralajmëruar se nëse Perëndimi do të përpiqet të ndërhyjë, ai do të thërrasë në ndihmë “miqtë” e tij. Kjo e fundit një referencë për Serbinë dhe Rusinë, ndoshta edhe Hungarinë, me të cilat Dodik ka ushqyer lidhje të ngushta vitet e fundit. Qëndrimi i Serbisë ndaj Bosnjës, dhe mbështetja e saj e hapur ndaj Milorad Dodik dhe politikave të tij, është shumë i qartë.

Beogradi nuk dëshiron, dhe nuk është në gjendje ta pranojë se dominimet e saj të imagjinuara tani janë tashmë shtete të pavarura. Duke qenë se nuk ka hequr kurrë dorë nga ëndrra e saj për të krijuar një “Serbi të Madhe”, ajo vazhdon të jetë e shqetësuar dhe përpiqet të mbrojë statusin e saj të mëparshëm.

Përpjekja e saj për ta dominuar rajonin, buron nga supozimi i nënkuptuar i të drejtës dhe unicitetit si vend. Por pse Moska do të ishte e interesuar të nxiste destabilitet në Ballkan?

Së pari Rusia e sheh pozitën gjeografike të Ballkanit si një pikë të dobët të Bashkimit Evropian.

Rajoni mbetet pjesa e fundit e rëndësishme e Evropës. Ai nuk është integruar plotësisht në strukturat e BE-së dhe NATO-s, dhe kufizohet me një numër vendesh anëtare të NATO-s dhe BE-së. Meqë NATO ka shkelur zonat e ndikimit të epokës sovjetike në afërsi të Moskës (Gjeorgjia dhe Ukraina), Moska ndjen të drejtën të kundërpërgjigjet me rritjen e ndikimin në “oborrin e pasmë” të NATO-s.

Përveç kësaj, rajoni i Ballkanit ndodhet në udhëkryqin e një rrugëve të transportit të energjisë që nga Rusia në Turqi dhe Detin e Zi. Moska e di shumë mirë se energjia dhe gjeopolitika janë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Së fundi, një krizë në Ballkan do ta mbante BE-në të zënë, ndërsa do t’i jepte Rusisë një ndikim domethënës mbi projekte më të rëndësishme, si pushtimi i Ukrainës apo kontrolli i plotë i regjimit bjellorus.

Por në dallim nga shtetet post-sovjetike të Azisë Qendrore apo Kaukazi, Rusia është e paaftë që të depërtojë fizikisht në Ballkan, prandaj mbështetet tek lojtarët vendas. Moska ka një sërë aletesh atje, duke përfshirë politikanë nacionalistë serbë, bandat e motoristëve, milicitë paraushtarake, biznesmenë me shumë dritë-hije, media pro-ruse, dhe mbi të gjitha Kishën Ortodokse Serbe.

Veprimet e tyre të kombinuara, mjaftojnë për t’i mbajtur në një gjendje të përhershme konflikti të fshehur ose me intensitet të ulët shtetet e brishta, diçka që u shërben interesave ruse. Dy aleatët kryesorë rusë janë lideri autoritar serb Aleksandar Vucic dhe anëtari serb i Bosnjës i presidencës trepalëshe, Milorad Dodik.

Moska po kryen prej vitesh teste te vogla në rajon, për të parë se me çfarë mund të godasë fort kur të krijohet mundësia. Duket sikur heshtja e Perëndimit, është perceptuar nga Kremlini si një dritë jeshile. BE-ja po shfaqet e hutuar dhe pa timon. Asaj i munguar një qasje e përbashkët ndaj politikës së saj të jashtme dhe çështjeve të sigurisë.

Fuqia më e madhe ekonomike e bllokut, Gjermania, ndodhet në një tranzicion post-Merkel, ndërsa Franca, një tjetër lojtare kryesore e unionit, është e zënë me përgatitjet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, numri i shteteve anëtare rebele, si Polonia dhe Hungaria, është vazhdimisht në rritje.

Duke pasur parasysh valën e katërt të Covid-19, Bashkimi Evropian është më shumë i shqetësuar me pasaportat dixhitale të vaksinimit, sesa për të organizuar një përgjigje bindëse ndaj luftërave hibride që po kryen Moska. Nga ana tjetër, edhe Uashingtoni ka bërë një sërë gabimesh të pafalshme gjatë 2 muajt e fundit.

Këtu përfshihet tërheqja e tij katastrofike nga Afganistani, tolerimin e gazsjellësit “Nord Stream II”, dhe përplasjen e fortë me Francës, pas prishjes së marrëveshjes që kishte kjo e fundit me Australinë për shitjen e disa nëndetëseve. Kremlini i interpretoi këto lëvizje si mungesë të një strategjie koherente transatlantike.

Presidenti rus Vladimir Putin e di mirë shanset që ka në terren, dhe me ardhjen e dimrit po lëviz me shpejtësi duke prodhuar një sërë krizash të njëkohshme. Kriza e emigrantëve përgjatë kufirit Bjellorusi-Poloni, lufta për furnizimet me gaz të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, shkeljet e vazhdueshme të hapësirës ajrore të Baltikut, grumbullimi i trupave përgjatë kufijve të Ukrainës dhe kriza e sigurisë në Ballkan, janë që të gjitha pjesë e së njëjtës luftë hibride.

Qëllimi i tij është të përçajë, të ushtrojë presion dhe dobësojë BE-në, duke testuar në të njëjtën kohë edhe vendosmërinë e NATO-s. Edhe kryeministri polak Mateusz Moraëiecki, vendi i të cilit është prekur direkt nga kriza e emigrantëve, s‘ka dyshime se kush qëndron pas krizës.

“Ky sulm që po kryen Lukashenka e ka trurin në Moskë, dhe organizatori është presidenti Putin”-tha Morawiecki. Edhe ish-ministrja e jashtme kroate Vesna Pusic nënvizoi:”S’ka dyshim se Rusia është përçarësja kryesore e Ballkanit, duke përdorur aleatët e saj lokale për të zbatuar atë politikë. Por objektivat e tij, ka shumë të ngjarë që të tejkalojnë rajonin dhe të përfshijnë gjetjen e një kompromisi më të gjerë me BE-në”.

Parë nga një këndvështrim më i gjerë, BE-ja është tashmë e rrethuar nga një brez vendesh jo të qëndrueshme. E inkurajuar nga paaftësia e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për t’iu kundërvënë me vendosmëri veprimeve të saj, Moska është e vendosur të vazhdojë të ndjekë qëllimet e saj strategjike.

Megjithatë, është iluzore të mendosh se BE-ja ka vullnetin dhe kapacitetin për të vepruar në mënyrë të unifikuar kundër luftërave hibride të Kremlinit. Ashtu si me ndërmjetësimin e paqes pas luftërave jugosllave në vitet 1990, e vetmja forcë e aftë për t’u përballur me planet e Moskës është SHBA-ja. Mënyra se si kjo e fundit do të reagojë ndaj këtyre kërcënimeve të hapura ushtarake, do të ketë pasoja të gjera për sigurinë e Evropës dhe aleancën transatlantike.

Uashingtoni duhet të rritë praninë e tij ushtarake në Bosnje Hercegovinë, për të siguruar ruajtjen e rendi liberal demokratik, dhe që vendi të mos rrëshqasë në një konflikt të ri. Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojnë në rajon diplomatë të nivelit të lartë, në vend të zyrtarëve mediokër të Departamentit të Shtetit, që janë të interesuar vetëm për zgjidhje afatshkurtra, që u sigurojnë promovime të shpejta në karrierë.

Së fundi, administrata e Biden duhet të lobojë për pranimin e shpejtë të Bosnjës në NATO. Kjo do ta ankoronte vendin më fort brenda aleancës, dhe do të siguronte investime politike amerikane në rajon. Konflikti me Rusinë nuk mund të shmanget. Ai ka nisur tashmë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina