Fundi i udhëtimit pa pagesë në BE? Në maj 2023 gati visa e re, më e shpejtë por me kosto

BE ka njoftuar nisjen e skemës së saj të shumëpritur të vizave, ETIAS, që do të hyjë në fuqi në maj 2023.

ETIAS nuk është si një vizë normale. Ajo është më e shpejtë, bëhet në internet dhe nuk kërkon informacion biometrik.

Megjithatë për ta marrë atë ka një procedurë dhe një kosto, më tepër si skema e Shteteve të Bashkuara, ESTA.

Udhëtarët e BE-së janë të përjashtuar dhe kanë lirinë e lëvizjes nëpër bllok, duke i lejuar ata të kalojnë sa kohë të duan në shumë vende.

Por për të gjithë të tjerët që hyjnë në bllok nga një vend që më parë nuk kërkonte vizë, ETIAS do të jetë i detyrueshëm.

Lëvizja prek rreth 60 vende, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat humbën lirinë e lëvizjes pas Brexit. Asgjë nuk ndryshon për ata që më parë kishin nevojë për vizë për të hyrë.

Procesi i aplikimit do të jetë nëpërmjet një “sistemi IT kryesisht të automatizuar”, me miratim të dhënë “brenda pak minutash”, për rreth 95% të aplikantëve, sipas një memo të re të lëshuar nga BE.

Koha maksimale e nevojshme për miratim mund të jetë deri në një muaj në “raste shumë të jashtëzakonshme”. Kushdo, aplikimi i të cilit është refuzuar, do të ketë të drejtën e apelimit.

Autorizimi ETIAS është i vlefshëm për një numër të pakufizuar hyrjesh për tre vjet. Megjithatë, mbajtësit duhet t’u përmbahen rregullave të imigracionit dhe qëndrimit të tepërt. Aktualisht, shtetasit e vendeve të treta nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë në bllok, për çdo periudhë 180 ditore.

Kostoja: 7 € (7,35 dollarë) për ata të moshës nga 18 deri në 70 vjeç.

Nuk është ende e qartë nëse të tjerët do të kenë një tarifë të reduktuar ose do të jenë në gjendje të aplikojnë falas. Megjithatë, SHBA tarifon 21 dollarë për një autorizim ESTA.

Data e fillimit të aplikimeve nuk është bërë ende e ditur.

Kategoritë
BotaLajme