Futbollisti Kurt Zouma dënohet me 180 orë shërbime publike për goditjen e maces

Mbrojtësit 27-vjeçar iu ndalua gjithashtu mbajtja e maceve për pesë vjet dhe u detyrua të paguante pothuajse 9.000 funte për shpenzimet gjyqësore

Mbrojtësi Kurt Zouma që luan për klubin West Ham United të Premier Ligës angleze, u dënua me 180 orë shërbim publik, pasi u deklarua fajtor për goditjen e maces së tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbrojtësit 27-vjeçar iu ndalua gjithashtu mbajtja e maceve për pesë vjet dhe u detyrua të paguante pothuajse 9.000 funte për shpenzimet gjyqësore.

Në një seancë gjyqësore, Zouma u deklarua fajtor sipas Aktit të Mirëqenies së Kafshëve 2006 për shkaktimin e vuajtjeve të panevojshme për macet.

Ngjarja është filmuar nga vëllai i futbollistit, Yoan, në shkurt, i cili më pas e postoi në Snapchat. Ai gjithashtu u urdhërua të kryente 140 orë shërbim publik.

Pamjet treguan Zouman duke shkelmuar, hedhur dhe goditur me shuplakë macen e tij Bengal, një akt që shkaktoi zemërim të gjerë. Në video u shfaq edhe ai duke thënë “Betohem se do ta vras”.

“Të dy morët pjesë në këtë akt të turpshëm dhe të dënueshëm me këtë mace të përkëdhelur. Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se të tjerët ju shikojnë dhe shumë të rinj aspirojnë t’ju imitojnë”, tha gjykatësja e qarkut Susan Holdham në vendimin e saj.

Që nga incidenti, Zouma ka humbur një marrëveshje sponsorizimi me Adidas, si dhe vendin e tij në ekipin kombëtar francez, ndërsa është gjobitur me 250.000 funte.

Macet e Zoumas u sekuestruan nga policia dhe u morën nën kujdesin e Shoqatës Mbretërore për Parandalimin e Mizorisë ndaj Kafshëve (RSPCA), ku ato kanë qëndruar që atëherë.

‘Drejtësia e shpejtë’

“Ne jemi të kënaqur që ka pasur drejtësi të shpejtë në këtë rast të tmerrshëm dhe fokusi ynë tani është t’i përputhim këto mace të bukura me shtëpitë e dashura që meritojnë”, tha pas seancës shefi i inspektoratit të RSPCA, Dermot Murphy.

“Ky rast dërgon një mesazh vërtet të qartë se kafshët nuk duhet të trajtohen kurrë kështu, dhe postimi i videove të kafshëve që dëmtohen në mediat sociale për pëlqime është i neveritshëm”, shtoi ai.

‘Shans për të mësuar nga gabimi i tij’

Një zëdhënës i klubit West Ham tha se çdo formë e abuzimit me kafshët ose mizori është “e papranueshme” dhe nuk është në përputhje me vlerat e klubit të futbollit.

“Brenda 48 orëve nga shfaqja e pamjeve, ne e gjobitëm Kurtin me maksimumin e disponueshëm për klubin. Çdo qindarkë e këtyre parave është tani me një numër bamirësish, të merituara, të gjitha të dedikuara për mirëqenien e kafshëve”, thuhet në deklaratë.

“Kurt pranoi në rastin më të parë se ajo që bëri ishte e gabuar. Ai ka kërkuar falje pa asnjë rezervë. Shpresojmë që pasi gjykata të ketë marrë vendimin e saj, të gjithë do t’i lejojnë Kurtit mundësinë të mësojë nga gabimi i tij dhe të vazhdojë përpara”.

Kategoritë
BotaLajme