G7 do të përdorë paratë nga tarifat më të larta për eksportet ruse për të ndihmuar Ukrainën

“Pjesëmarrësit marrin angazhime të reja për t’i dhënë mbështetje ushtarake, financiare dhe diplomatike Kievit ‘për aq kohë sa duhet'”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Shtatë ekonomitë më të fuqishme në botë kanë rënë dakord të përdorin paratë e mbledhura nga tarifat më të larta tregtare ndaj Rusisë për të ndihmuar Ukrainën, thuhet sot në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e dytë të samitit të G7 në Gjermani, liderët marrin angazhime të reja për të goditur më tej ekonominë ruse dhe “të sigurojnë që Rusia të paguajë për kostot e luftës së saj”, thuhet në deklaratë.

“SHBA-ja do të zbatojë tarifë më të lartë për Rusinë për më shumë se 570 grupe produktesh ruse me vlerë rreth 2.3 miliardë dollarë”, theksohet më tej.

Të gjithë anëtarët do të angazhohen për të ndihmuar Ukrainën në mbulimin e mungesës së financimit të saj afatshkurtër buxhetor, përfshirë një angazhim prej 7.5 miliardë dollarësh nga ndihma e dytë shtesë nga SHBA-ja.

“Udhëheqësit do të bëjnë një angazhim të paprecedentë dhe afatgjatë të sigurisë për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Mbështetja e re do të përfshijë ruajtjen e “gatishmërisë dhe mbrojtjes së besueshme ushtarake të Ukrainës, përfshirë sigurimin në kohë të pajisjeve moderne të mbrojtjes dhe sistemeve të avancuara të armëve”.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson do t’u bëjë thirrje liderëve botërorë që të ndërmarrin veprime urgjente për të nxjerrë furnizimet thelbësore ushqimore nga Ukraina në samitin e G-7.

Qeveria planifikon të riparojë hekurudhat jetike në mënyrë që të transportojë grurë jashtë vendit me hekurudhë.

“Britania është në diskutime të ngushta me qeverinë e Ukrainës se si të maksimizojë kapacitetin e saj hekurudhor dhe të mundësojë lëvizjen e trenave dhe grurit”, thuhet sot në një deklaratë zyrtare.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, takimi i parë me prani personale të shtatë ekonomive kryesore të botës filloi të dielën në Gjermani, ku liderët diskutuan krizën e ushqimit dhe energjisë të nxitur nga lufta.

Ngjarja treditore po zhvillohet në Schloss Elmau në Alpet bavareze, me axhendën e saj konsiderohet më urgjente se kurrë ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.

Kategoritë
BotaLajme