G7-ta zotohet të veprojë së bashku kundër “armatizimit të energjisë” nga Rusia

Ata po ashtu deklaruan se Moska “nuk është një furnizues i besueshëm i energjisë” dhe u zotuan të reduktojnë më tej varësinë e tyre nga karburantet fosile dhe teknologjia bërthamore civile ruse

Grupi Shtatë (G7) ka dënuar “armatizimin e energjisë” nga Rusia dhe është zotuar të punojë për masa të reja për të ndaluar Moskën “të përfitojë nga lufta e saj” në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefat e diplomacisë së vendeve të G7-tës, ekonomive më të përparuara në botë (Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe BE-ja), lëshuan një deklaratë të përbashkët për sigurinë e energjisë.

Ministrat dënuan “përpjekjet ruse për të armatosur eksportet e saj të energjisë dhe për përdorimin e energjisë si mjet shtrëngimi gjeopolitik”.

Ata u zotuan të marrin në konsideratë masa të reja për të “parandaluar Rusinë të përfitojë nga lufta e saj e agresionit”, duke përfshirë “ndalimin gjithëpërfshirës të të gjitha shërbimeve që mundësojnë transportimin e naftës së papërpunuar ruse dhe të produkteve të naftës në det në nivel global”.

Ata po ashtu deklaruan se Moska “nuk është një furnizues i besueshëm i energjisë” dhe u zotuan të reduktojnë më tej varësinë e tyre nga karburantet fosile dhe teknologjia bërthamore civile ruse.

G7 po ashtu u zotua të veprojë së bashku për të lehtësuar pasojat e ndërprerjeve në furnizimin me energji në tregjet e tyre dhe për mbështetjen e stabilitetit global të energjisë duke ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Dokumenti riafirmoi angazhimin e vendeve të G7-tës për neutralitetin e klimës.

Deklarata përsëriti “dënimin e luftës brutale, të paprovokuar, të pajustifikueshme dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës” dhe i bëri thirrje Moskës që menjëherë të tërheq forcat e saj nga Ukraina.

Kategoritë
BotaLajme