Alejandro Garnacho ishte pjesë e skuadrës së Argjentinës që fitoi Kupën e Amerikës në finale ndaj Kolumbisë. Tashmë, sulmuesi i Manchester United përgatitet që në vitin 2025 të sfidojë pak nga e shkuara e tij teksa në atë që quhet “Finalissima”, do të përballet me Kampionët e saposhpallur të Europës, Spanjën.
20-vjeçari mund të ishte fare mirë pjesë e “Furisë së Kuqe” pasi ai ka lindur në Madrid dhe deri në vitin 2020 jetonte pikërisht në Spanjë, teksa më pas u shpërngul në Manchester ku u bë pjesë e United. Garnacho, numëron tre ndeshje me skuadrën U18 të Spanjës, por në fund zgjodhi Argjentinën. Vetë lojtari zbulon se është më i lidhur me Argjentinën për shkak të mamasë dhe familjarëve të tij.
“E gjithë pjesë e familjes nga mamaja është argjentinase. Ata kanë jetur gjithmonë në Argjentinë, ndërsa babai im është spanjoll. Mamaja ime jetoi më pas në Spanjë ku njohu babain tim dhe unë linda në Spanjë.
Por, unë jam shumë i afërt me njerëzit nga mamaja ime dhe ata më mësuan ndjenjën për të mbështetur Argjentinën. Nuk u desh që të mendoja dy herë nëse do të zgjidhja Spanjën apo Argjentinën sepse unë ndjehem argjentinas. E gjitha familja më mbështet mua dhe janë shumë të lumtur për mua”, u shpreh Garnacho.