Gati 10 ditë pas zgjedhjeve, KQZ ende e “zënë” me numërim, rezultatet e kandidatëve po “rrjedhin” nga Qendrat Komunale të Numërimit

Kanë kaluar më shumë se një javë prej kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka shpallur rezultatet për kandidatët për deputetë. Ndërsa sa i përket numërimin për votat e partive rezultati në uebfaqen e KQZ’së është “ngrirë” në 99.72%.

Të dielën e 9 shkurtit në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para të rregullta pasi Qeveria Kurti 2 e coi mandatin deri në fund.  Atë ditë qytetarët votuan për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Në mbrëmjen e të dielës, KQZ nisi publikimin e rezultateve preliminare në uebfaqen e saj, mirëpo kjo u përcoll me probleme. Faqja e KQZ’së filloi të ketë probleme teknike, sa që shpesh ajo nuk hapej fare ose nuk i shfaqte të dhënat që kërkoheshin, ndërsa në një moment VV shkoi mbi 55 për qind, shifër kjo që shkoi përtej trendit të numërimit nga vetë ky institucione parashikimeve të exitpolleve të asaj dite.

Tashmë me këtë çështje po merren institucionet e sigurisë dhe drejtësisë. Gazeta Express ka pyetur Prokurorinë në Prishtinë lidhur me hetimet e deritanishme, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, nga Polonia, e ka trajtuar si një kërcënim të sigurisë evropiane këtë që ndodhi me faqen e KQZ’së.

“Jam shumë i lumtur që jam në Poloni sot për të diskutuar sot me kolegët nga ministritë evropiane për një formë shumë të veçantë të kërcënimeve të sigurisë për kontinentin në një moment shumë të rëndësishëm. Ne kemi pasur zgjedhje javën e fundit dhe kemi përjetuar këtë formë speciale të kërcënimit të sigurisë lidhur me sulmet që i kanë ndodhur faqes së KQZ-së”, ka thënë Bislimi.

Por, për shkaqet e telasheve në KQZ ende s’ka fjalë përfundimtare.

Një problem tjetër me KQZ’në është vonesa në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë. Ky proces po vazhdon edhe sot, ndërsa KQZ dje njoftoi se deri të dielën janë numëruar 73.23% e vendvotimeve.

Nga organizatat që i përcollën zgjedhjet në Kosovë ka pasur kritika që procesi i numërimit të votave për kandidatë është vonuar.

Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë se sipas legjislacionit në fuqi, procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte mëngjesin e të hënës.

“Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN  dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.”

Ndërsa Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka kritikuar disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ai ka përmendur ndryshimin që votat e kandidatëve në qendrat komunale të numërohen ndaras nga votat e partive.

“Numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit, ndaras nga votat e subjekteve politike, jo vetëm që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare, por është edhe një operacion i ndërlikuar zgjedhor për të cilin nuk kemi staf të kualifikuar. Mezi menaxhohej një QNR, e lëre më 38 të tilla nëpër komuna. Ky ndryshim shkakton vonesa dhe rrit tensionet.”

Sido që të jetë, derisa numërimi nëpër komuna është duke vazhduar nga këto qendra po rrjedhin rezultate jozyrtare të votave që kanë fituar kandidatët nga parti të ndryshme. /GazetaExpress/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi