Gati 100 mijë punëtorë të Volkswagenit iu bashkuan grevës

Një ditë grevë në pothuajse të gjitha fabrikat e gjigantit gjerman Volkswagen në Gjermani, ka përfunduar në mëngjesin e së martës, ndërsa sindikata e punëtorëve ka thënë se gati 100.000 punëtorë i janë bashkuar protestës.

Greva është thirrur nga sindikata për të protestuar kundër paralajmërimeve për ulje pagash, mbyllje të disa fabrikave dhe zvogëlimit të numrit të punëtorëve në Volkswagen, kompanisë më të madhe në Evropë për prodhim të automjeteve.

Shefat e kompanisë, në anën tjetër, kanë përsëritur se uljet e shpenzimeve janë të domosdoshme, në mënyrë që kompania të mbetet konkurrente të treg, që të rriten fitimet, dhe ato më pas të investohen në automjetet e së ardhmes, përfshirë ato elektrike.

Volkswagen është përballur me rënie të kërkesës dhe rritje të madhe të konkurrencës ndërkombëtare, sidomos prej tregjeve kineze.

Gjiganti gjerman ka pasur vështirësi në lansim dhe reklamim të modeleve elektrike të makinave.

Udhëheqës të sindikatës së punëtorëve kanë thënë se ky është paralajmërimi i parë kundër planeve të ashpra të menaxhmentit të kompanisë dhe që nëse nuk merren parasysh kërkesat, protesta do të ketë sërish përgjatë dimrit.

Kategoritë
BotaLajme