Gazeta austriake Der Standard ka publikuar një raport ku pretendon se, sipas burimeve diplomatike, misioni i EUFOR-it (Forcat Paqeruajtëse Evropiane në Bosnje dhe Hercegovinë) është i gatshëm të mbështesë Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në arrestimin e Milorad Dodikut, presidentit të Republikës Srpska, nëse merret një urdhër përkatës.
Në artikull, i cili fokusohet kryesisht në protestat në Serbi, thuhet se këto zhvillime mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta në Bosnje dhe Hercegovinë. Analistët e sigurisë paralajmërojnë për mundësinë e nxitjes së dhunës në Republikën Srpska nga grupe radikale apo elementë kriminalë, me qëllim që Dodik të paraqitet si viktimë.
Der Standard: Dodik po planifikon të arratiset
Gazeta thekson se Dodik, të cilin e përshkruan si “të afërt me Kremlinin”, është nën urdhër arresti pasi ka refuzuar të paraqitet në prokurori. Policia gjyqësore ka kërkuar ndihmën e SIPA-së për arrestimin e tij, por kjo e fundit thuhet se do të ndërhyjë vetëm nën shoqërimin e EUFOR-it.
Sipas Der Standard, vendimin për një operacion të tillë mund ta marrë gjenerali rumun i EUFOR-it, Florin-Marian Barbu, ndërsa në rast të përshkallëzimit, mund të ndërhyjë edhe komanda e NATO-s në Sarajevë.
Gazeta përmend gjithashtu mundësinë që Dodik të arratiset jashtë vendit, duke raportuar se sipas burimeve të saj, Kremlini i ka dhënë dritën jeshile për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Megjithatë, përpjekjet e Dodikut për të bindur pjesëtarët serbë të agjencive shtetërore të sigurisë që të kalojnë në policinë e Republikës Srpska deri më tani nuk kanë pasur sukses./Gazetaere