Gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë marshojnë në kujtim të viktimave të luftës në Ukrainë

Në aksionin e tyre, 12 gazetarët ukrainas kujtuan viktimat e luftës që nisi në shtetin e tyre nga 24 shkurti 2022, me shpresën që lufta të përfundojë sa më shpejtë

Gazetarët ukrainas që janë strehuar në Kosovë, në njëvjetorin e luftës në Ukrainë kanë marshuar në Prishtinë nga sheshi “Skënderbeu” deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, raporton Anadolu.

Në aksionin e tyre, 12 gazetarët ukrainas të veshur me ngjyra të flamurit ukrainas, kujtuan viktimat e luftës që nisi në shtetin e tyre nga 24 shkurti 2022, me shpresën që lufta të përfundojë sa më shpejtë.

“Faleminderit që po qëndroni krah Ukrainës”, “Ndaloni terrorin”, kanë qenë disa nga mesazhet kryesore që gazetarët ukrainas mbanin në duar gjatë marshit.

Përveç marshit, ata në sheshin “Zahir Pajaziti” ndezën dhe qirinj në shenjë nderimi për të gjithë ata që vdiqën duke luftuar.

Gazetarja ukrainase Olena Slobodnikova, e cila po qëndron në Kosovë nga tetori i vitit të kaluar me vajzën e saj 6 vjeçare, tha se tashmë vajza e saj po vijon edhe mësimin me rregull në Kosovë.

Slobodnikova tha se gradualisht po mësohet me jetën në Kosovë, duke shtuar se për t’u kuptuar me njerëzit, ka filluar të mësojë gjuhën shqipe.

“Tani ata (gazetarët) janë luftëtarë, janë operatorë të dronëve dhe kjo ka ndodhur me pothuajse 90 për qind të gazetarëve në Ukrainë. Pra, e kuptoni që secili person është përfshirë në këtë luftë të cilën ne duam t’i japim fund”, tha Slobodnikova e cila shton se Evropa duhet ta ndalojë këtë luftë para se Rusia të vazhdojë me invadimin e saj më të gjerë.

Që nga muaji prill i vitit 2022, në Kosovë janë strehuar 12 gazetarë ukrainas duke vazhduar punën e tyre informuese për popullin ukrainas si gazetarë dhe duke ndarë përvojën e jetës së tyre në Kosovë me bashkëvendësit e tyre.

Gazetarët ukrainas kanë ardhur në Prishtinë përmes programit “Gazetarët në Rezidencë’’, ndërmjetësuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkërendim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve femra.

Kategoritë
BotaLajmeVendi