Gazetari kritikoi ashpër administratën amerikane: Po financoni gjenocidin në Gaza, njerëzit janë të lodhur nga marrëzitë tuaja

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Matthew Miller, mbajti një konferencë për media të martën, e cila u shoqërua me një konfrontim me njërin prej gazetarëve.

Gazetari Liam Cosgrove iu referua një përgjigjeje të mundshme të Izraelit ndaj një sulmi iranian dhe foli për qëndrimet e SHBA-së në këtë drejtim.

“Në korrik, Blinken tha se Irani është një deri në dy javë larg zhvillimit të armëve bërthamore. Pra, supozoj se deri tani e kanë arritur këtë. Ndërkohë, ukrainasit kanë sulmuar disa herë thellë brenda Rusisë. E dimë që Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në planet. Ky është një nga rreziqet e armatosjes së një ushtrie që ka mundësinë të sulmojë fuqitë bërthamore. Situata mund të përshkallëzohet shpejt,” tha Cosgrove.

Ai theksoi se rreziku i një konflikti bërthamor është i vërtetë dhe më pas vuri në pikëpyetje moralin e administratës amerikane.

“Pra, pyetja ime për ju. Shpesh dëgjojmë si përgjigje ndaj këtyre shqetësimeve se Putin, Khamenei janë kriminelë lufte, terroristë dhe se janë shumë të këqij dhe imoralë për të negociuar me ta. Ndërkohë, kjo administratë ka një vit që po financon gjenocidin në Gaza, dhe ju çdo ditë mohoni përgjegjësinë për këtë. Çfarë ju jep të drejtën të mbani leksione për vendet e tjera për moralin e tyre?” tha ai.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit iu përgjigj atij duke thënë se në Uashington ka shumë vende ku mund të mbajë fjalime.

“Njerëzit janë të lodhur nga marrëzitë tuaja. Kjo është gjenocid,” tha gazetari, pas së cilës u ndërpre.

Kategoritë
BotaLajme