Burime diplomatike të huaja, të afërta me negociatat mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Arabinë Saudite, kanë theksuar se SHBA dhe Rusia po propozojnë një plan paqeje me tri faza, i cili përfshin armëpushimin, mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë dhe më pas nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare, ka zbuluar gazetarja e FOX-it, Jacqui Heinrich.
Megjithatë, ideja për mbajtjen e zgjedhjeve më pas është refuzuar, me arsyetimin se Rusia po e shtynte fort këtë pikë.
Disa burime diplomatike të huaja kanë deklaruar për Fox News se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Ukrainë si një kusht kyç për suksesin e procesit të zgjidhjes. Sidoqoftë, një tjetër burim amerikan, i njohur me negociatat, e ka zbutur këtë deklaratë duke sqaruar se çështja e zgjedhjeve është diskutuar gjatë negociatave dhe se mund të bëhet pjesë e bisedimeve të ardhshme, por jo për momentin.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar mbi këtë deklaratë, por pritet ta bëjë së shpejti.
Ukraina gjithashtu kundërshton pretendimin se popullariteti i Zelenskyt është tepër i ulët për t’u rizgjedhur, edhe pa ndërhyrjen e Rusisë, duke theksuar si arsye refuzimin e tij për të nënshkruar ndonjë marrëveshje në Mynih.
“Putini vlerëson si të lartë mundësinë e zgjedhjes së një presidenti marionetë dhe është gjithashtu i bindur se çdo kandidat tjetër, përveç presidentit aktual të Ukrainës, do të jetë më fleksibël dhe më i gatshëm për negociata dhe kompromise. Nga ana tjetër, Trump është i gatshëm të pranojë çdo rezultat zgjedhor, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjes së një marionete pro-ruse. D. Trump dhe V. Putin vlerësojnë shanset për rizgjedhjen e presidentit aktual të Ukrainës si të ulëta”, thuhet në interpretimin e palës ukrainase.
Pas takimit, delegacionet amerikane dhe ruse ranë dakord “të zgjidhin tensionet në marrëdhëniet dypalëshe” dhe të vazhdojnë punën për përgatitjen e negociatave mbi luftën ruso-ukrainase.