Gërvalla i kundërpërgjigjet PDK-së: Entuziazmi me të cilën po pritet Kurti nga diaspora, po iu pengon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar ndaj opozitës, e cila po e akuzon atë dhe kryeministrin Albin Kurti, se po përdorin detyrën zyrtare për qëllime partiake, raporton Ekonomia Online.

Madje, pikërisht të shtunën sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media tha se Kurti dhe Gërvalla po e kamuflojnë agjendën partiake si punë zyrtare dhe qeveritare.

Gërvalla në reagimin e saj thekon se ajo që është opozitë sot për kaq shumë vite me radhë, mërgatën dhe diasporën e trajtuan me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit.

“Sot kur llogaridhënia, edhe ndaj qytetarëve të Kosovës në mërgatë, është kthyer në model të qeverisjes, kur Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, herë nën organizimin e shoqatave nga më të ndryshmet e herë nën organizimin e misioneve diplomatike të Kosovës, bëjnë bashkëbisedim të hapur me të gjithë pjesëtarët e mërgatës, në takime ku pa lista dhe pa kufizime të tjera ftohen publikisht të marrin pjesë TË GJITHË, ku në takime nuk bisedohet as për lidhje biznesore e as familjare, as për parti politike apo interesa personale, por ku Kryeministri bashkëbisedon me qytetarët e Kosovës jashtë vendit për zhvillimet në Kosovë, situatat e ndryshme që përcjellin realitetin e ri të krijuar në vendin tonë, krijimin e lidhjeve më të mira mes mërgatës, diasporës dhe Kosovës, përfshirjes më efikase në Kosovë të gjeneratave të lindura dhe rritura në mërgim, të shkolluara dhe aftësuara, falë kontributit të prindërve të tyre, në institucionet më prestigjioze arsimore të botës, krijimit të mekanizmave institucional për profesionalizimin e mësimit në gjuhën shqipe në mërgatë, regjistrimin e mërgatës, etj., pikërisht këta keqpërdorues masiv të diplomacisë dhe shtetit mbajnë konferenca për shtyp dhe thërrasin diplomatët e Kosovës që të bojkotojnë dhe sabotojnë shtetin”, thuhet në reagimin e Gërvalës të Publikuar në rrjetin social Facebook.

Kryeministri, Presidentja, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, sipas saj nuk kanë bërë në këto gati 4 vjet pothuajse asnjë vizitë jashtë vendit pa e ndarë të paktën një kohë të shkurtër për takim me mërgatën dhe diasporën.

“Diku një takim me studentë, diku me profesionistë të rinj, diku tjetër me figura të shquara të shoqërisë së shteteve përkatëse, ndërsa diku me veprimtarë meritorë të çështjes kombëtare, me biznese të suksesshme e me përfaqësues të artit e kulturës, shkencës dhe teknologjisë”, tha Gërvalla.

Sipas ministres Gërvalla nuk është përmbajtja e takimeve të kryeministrit ajo që i shqetëson ata që, sic është shprehur ajo “ për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”. EO

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi