Giresse pas barazimit me Izraelin: Jam i kënaqur me rezultatin edhe pse kemi mundur të fitojmë

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, është ndarë i kënaqur me rezultatin e arritur në Tel Aviv ndaj Izraelit, ku barazuan 1-1.  

Kosova kaloi në epërsi me autogolin e Eli Dasa, ndërsa izraelitët barazuan me golin e Dor Peretz në pjesën e dytë.

Në fund të ndeshjes, Kosova kishte dy raste të mira, me Arbër Zenelin dhe sidomos me Milot Rashicën, por fati nuk ishte me ta.

“Ishte ndeshje që kërkonte shumë angazhim dhe shumë ritëm. Ndoshta rezultati nuk është i kënaqshëm, por jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve. Jam i kënaqur me rezultatin, në fund kemi mundur të fitojmë, por mendoj se rezultati 1-1 është mjaft i mirë.

“Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Do të jetë rrugë e gjatë. Do të mundohemi. Ishte ndeshja e parë dhe natyrisht se kemi treguar mundësi dhe potencial të mirë”.“Lojtarët kanë treguar paraqitje të mirë për ndeshjet e ardhshme. Lojtarët kanë treguar se janë të gatshëm për t’u kualifikuar”, ka thënë Giresse.

Kosova pret Andorrën në Prishtinë në javën e ardhshme, ku kërkon tri pikët.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreSportVendi