Gjatë 3 ditëve të fundit mbi 500 mijë palestinezë të zhvendosur nga Izraeli janë kthyer në veri të Gazës

– Pavarësisht shkatërrimeve të rënda të shkaktuara nga sulmet izraelite, palestinezët vazhdojnë të kthehen në veri të Gazës

ANKARA (AA) – Më shumë se 500 mijë palestinezë të zhvendosur nga sulmet izraelite janë kthyer në veri të Rripit të Gazës në tre ditët e fundit, raporton Anadolu.

Pavarësisht shkatërrimeve të rënda të shkaktuara nga sulmet izraelite, palestinezët vazhdojnë të kthehen në veri të Gazës. Pas hapjes së korridorit të okupuar Netzarim të hënën, banorët e Gazës filluan të kthehen turma-turma në rajonet veriore.

Zyra për media e qeverisë në Gaza bëri një deklaratë me shkrim lidhur me palestinezët e zhvendosur me forcë që kthehen në veri në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit. Theksohet se ka kaluar mbi 500 mijë numri i palestinezëve që kanë kaluar në veri të Gazës pas hapjes së Korridorit Netzarim, i cili është i pushtuar nga ushtria izraelite.

Në një deklaratë me shkrim nga Kombet e Bashkuara, ishte njoftuar se më shumë se 376 mijë palestinezë të zhvendosur me forcë janë kthyer në veri të Gazës në dy ditët e fundit.

– Kthehen në territoret e tyre pavarësisht shkatërrimit dhe kushteve të vështira

Në përputhje me armëpushimin e arritur me Hamasin, Izraeli hapi korridorin Netzarim të hënën duke lejuar palestinezët e zhvendosur të kalonin në veri të Gazës.

Sipas deklaratës nga Zyra për media e qeverisë në Gaza, shkatërrimi në veri për shkak të sulmeve izraelite është rreth 90 për qind. Shumica e banorëve të Gazës që u kthyen në veri, në vend të shtëpive të tyre përballen me rrënojat si pasojë e shkatërrimeve të mëdha.

Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, banorët e Gazës thonë se nuk duan të largohen nga toka e tyre, ndërsa vazhdojnë të kalojnë nga jugu në veri.

– Ishte zona më e populluar para sulmeve izraelite

Para sulmeve të Izraelit të cilat filluan më 7 tetor 2023 dhe vazhduan për 471 ditë, pjesa veriore ishte zona më e populluar e Rripit të Gazës.

Nga rreth 2.3 milionë banorë në Rripin e Gazës, 1.4 milionë jetonin në veri para sulmeve.

Për shkak të sulmeve izraelite dhe refuzimit për të lejuar ndihma në rajon, rreth 1 milion njerëz që jetonin në veri të Gazës u detyruan të migrojnë në rajonet qendrore dhe jugore.

Kategoritë
BotaLajme