Gjatë inaugurimit të tij, Trump tha se do ta rikthejë Kanalin e Panamasë, presidenti i Panamasë iu përgjigj ashpër

Presidenti panamez, José Raúl Molino, iu përgjigj fjalimit inaugurues të Donald Trump-it, ku ky i fundit përsëriti synimin e tij që SHBA, për arsye sigurie, të marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë.

“Anijet amerikane paguajnë tarifa shumë të larta dhe ndaj tyre nuk veprohet në mënyrë të drejtë në asnjë formë apo mënyrë, përfshirë këtu edhe Marinën e Shteteve të Bashkuara. Mbi të gjitha, Kanali i Panamasë kontrollohet nga Kina. Dhe ne nuk ia dhamë Kinës. Ia dhamë Panamasë dhe do ta kthejmë atë,” tha Trump.

Duke iu përgjigjur presidentit amerikan, presidenti panamez José Raúl Molino u shpreh lidhur me pretendimet për tarifat e larta të kalimit në kanal, duke theksuar edhe një herë procesin e integrimit të kanalit në sovranitetin e Panamasë.

“Ripërsëris atë që shpreha në mesazhin tim për kombin më 22 dhjetor: Kanali do të vazhdojë të jetë pronë e Panamasë dhe administrimi i tij do të mbetet nën kontrollin panamez, duke ruajtur neutralitetin e tij të përhershëm. Nuk ka asnjë komb në botë që mund të ndërhyjë në administrimin tonë. Kanali nuk ishte një koncesion i askujt. Ishte rezultat i luftërave shumë breza, që kulmuan në vitin 1999, si rezultat i marrëveshjeve Torrijos-Carter. Që nga ajo kohë deri më sot, për 25 vite rresht, kemi arritur ta zgjerojmë atë në mënyrë të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për të shërbyer botës dhe tregtisë së saj, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara,” tha Raúl Molino.

Ai shtoi se e drejta ndërkombëtare mbetet mënyra ideale për të menaxhuar marrëdhëniet midis shteteve, duke përfshirë vendet aleate dhe mike.

Në muajin e fundit, presidenti amerikan ka nisur procesin e nacionalizimit të Kanalit të Panamasë, duke e cilësuar atë si një interes të dorës së parë për sigurinë kombëtare të SHBA-së, gjë që e konfirmoi edhe në fjalimin e tij inaugurues.

Kategoritë
BotaLajme