Gjenerali Carsten Breuer u shpreh se Rusia tashmë po kryen operacione të gjera të inteligjencës dhe sabotazhe kundër vendeve perëndimore
Gjenerali gjerman Carsten Breuer paralajmëroi se Rusia mund të testojë gatishmërinë mbrojtëse të NATO-s dhe të sulmojë një vend evropian në katër vitet e ardhshme, raporton Anadolu.
“Është jashtëzakonisht serioz. Presidenti rus Vladimir Putin po zbaton sistematikisht planet e tij. Riarmatimi i tyre është duke u zhvilluar”, tha shefi i mbrojtjes, gjeneral Breuer, në një intervistë me të përditshmen gjermane Handelsblatt.
Ai tha se koha e një sulmi të mundshëm ndaj një vendi evropian është subjekt i shumë variablave dhe gjithashtu varet nga rrjedha e luftës në Ukrainë.
“Si ushtarak, më duhet të mendoj në skenarët më të keq. Dhe kur analistët thonë në katër deri në shtatë vjet, atëherë unë supozoj katër vjet”, tha ai, duke iu referuar raporteve të inteligjencës perëndimore që paralajmëronin një sulm të mundshëm.
“Kjo nuk do të thotë se një sulm rus do të ndodhë vërtet në vitin 2029, por gjithashtu nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë më shpejt. Duhet të përgatitemi sa më mirë për të. Kjo vlen për shoqërinë në tërësi, jo vetëm për trupat ushtarakë”, tha ai.
Gjenerali Carsten Breuer gjithashtu argumentoi se Rusia tashmë po kryen operacione të gjera të inteligjencës dhe sabotazhe kundër vendeve perëndimore.
“Nuk mjafton të mendosh vetëm për një sulm klasik konvencional. Rusia mendon për luftën në një vazhdimësi”, tha ai, duke shtuar:
“Për Rusinë, lufta tashmë ka filluar, nëse shikoni numrin e madh të sulmeve hibride në infrastrukturën kritike dhe operacionet e ndikimit rus në Perëndim. E kam fjalën për spiunazh apo akte sabotazhi, të cilat ne i përjetojmë përditë”.