Gjenerali i Mlladiqit hapi zemrën: Kam kryer një krim të paimagjinueshëm, kemi vrarë njerëz të pafajshëm!

Ish-gjenerali i ushtrisë serbe të Bosnjës, Radislav Kërstiq , i cili u dënua me 35 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, kërkoi që Gjykata e Kombeve të Bashkuara të publikojë letrën e tij në të cilën ai pranon plotësisht përgjegjësinë për krimet e kryera dhe shpreh pendim.

Në faqen e internetit të mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT), pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), u publikua një parashtresë në të cilën avokati pro bono i Kërstiqit, Vladimir Petroviq, parashtroi një kërkesë për parashtrimin e parakohshëm të klientit të tij për lirim, më 11 nëntor dhe me këtë i është bashkangjitur edhe kërkesa e tij drejtuar gjykatës që shkresa e pendimit të bëhet publike.

Pas vuajtjes së 26 vjetëve të dënimit të tij, Kërstiq fillimisht kërkoi lirim të parakohshëm në vitin 2022, por MICT-ja e refuzoi atë. Një kërkesë të tillë ai e paraqiti sërish në janar, duke përmendur shëndetin e dëmtuar, por edhe gatishmërinë për të pranuar plotësisht përgjegjësinë për krimet për të cilat është dënuar, shkruan Indeksonline.

Avokati i tij thekson në një parashtresë të re në gjykatë se MICT-ja tani duhet ta rishqyrtojë atë kërkesë, veçanërisht për shkak se Kërstiq është i gatshëm të pranojë fajin dhe ai dëshiron të konfirmojë sinqeritetin e atij pranimi, duke e bërë letrën që e shpjegon atë në dispozicion të publikut.

Kërstiq ia dërgoi atë letër MICT-së më 18 qershor dhe nga ajo rezulton se ai ishte i motivuar drejtpërdrejt nga rezoluta që dënonte gjenocidin në Srebrenicë, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në maj, dhe në atë dokument emri i tij përmendej ndër ata që janë përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë.

Kërstiq i shkroi gjykatës se ai vetë do të kishte votuar për atë rezolutë nëse do të kishte të drejtë vote.
Kërstiq thotë se çdo ditë kujton njerëzit e pafajshëm që u vranë dhe dëshiron të përdorë fjalët e tij për të inkurajuar të tjerët që të mos lejojnë kurrë të përsëriten krime të ngjashme.

Kategoritë
LajmeRajoni