Gjenerali polak paralajmëron: Nuk kemi forca për një mision në Ukrainë, vetëm vendet më të varfra po dërgojnë ushtarë

Gjenerali në pension i ushtrisë polake, Bogusław Samol, tha se Polonia është e përqendruar në mbrojtjen e territorit të saj, por se realizimi i një operacioni paqeruajtës në Ukrainë është një proces i ndërlikuar.

Gjenerali Samol foli për mundësinë e krijimit të një operacioni paqeruajtës në Ukrainë, duke theksuar kompleksitetin e një misioni të tillë.

“Le të shikojmë numrin e brigadave dhe divizioneve në ushtritë evropiane. Gjithashtu, duhet të marrim parasysh humbjet e mundshme. Këto do të ishin kryesisht kosto që do të mbuloheshin nga forcat tokësore të angazhuara në një mision të tillë. Nuk mund të parashikojmë se si do të sillen trupat ruse dhe nëse do të ketë provokime. Mund të ketë edhe provokime nga pala ukrainase për të angazhuar kontingjentet ndërkombëtare në favor të tyre,” tha Samol.

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë më të angazhuarat ndaj konceptit të misionit që po diskutohet, por nuk do të dëshirojnë të marrin rrezikun e dërgimit të forcave të tyre tokësore. Gjenerali polak theksoi se shembulli i Afganistanit ka treguar se vendet më të varfra kanë dërguar ushtarë, ndërsa vendet më të pasura janë angazhuar kryesisht në mbështetjen ajrore dhe logjistike.

“Provokimet ruse kundër Polonisë dhe vendeve baltike, për fat të keq, janë shumë të mundshme. Për më tepër, forcat tona të armatosura janë në një proces modernizimi. Nuk jemi të gatshëm për një angazhim më të madh jashtë kufijve të vendit. Ky është një periudhë e zhvillimit dinamik, e zgjerimit të strukturave dhe e blerjes së armatimeve të reja,” përfundoi Samol.

Kategoritë
BotaLajme