Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë u shpreh i bindur se është në interesin e serbëve në Kosovë dhe të shtetit që të luftojnë për Kosovën përmes rrugëve diplomatike.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, u shpreh se ushtria serbe ka kapacitete për të mbrojtur serbët dhe popullatën tjetër joshqiptare në Kosovë.
Në një intervistë për “Novosti”, Mojsilloviq tha se nuk do të ketë “Stuhi” të re ndaj serbëve në Kosovë, duke aluduar në ndodhitë gjatë luftës në Kroaci.
Ai gjithashtu u shpreh i bindur se është në interesin e serbëve në Kosovë dhe të shtetit serb që të luftojnë për Kosovën përmes rrugëve diplomatike.
“Ushtria serbe monitoron kërcënimet e mundshme ndaj Serbisë dhe është në gjendje t’u përgjigjet në mënyrë adekuate të gjitha rreziqeve të sigurisë”, u shpreh ai.
Gjenerali Mojsilloviq tha se Serbia, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara, e njeh KFOR-in si të vetmin formacion legjitim të armatosur në Kosovë.
Ai theksoi se Ushtria Serbe, si një partner kredibil dhe i besueshëm, në vazhdimësi i përmbahet Marrëveshjes Ushtarako-Teknike dhe me KFOR-in, realizon bashkëpunim profesional në të gjitha nivelet për të monitoruar situatën në terren, për të ulur tensionin dhe për të parandaluar shfaqjen dhe përshkallëzimin e krizave.
Mojsilloviq gjithashtu u shpreh se në të gjitha kontaktet me komandantin e KFOR-it dhe zyrtarët e NATO-s kërkon që forcat ndërkombëtare të sigurisë të mbrojnë serbët dhe trashëgiminë kulturore, historike dhe fetare serbe.
Gjithashtu Mojsilloviq ka thënë se e vlerëson si pozitiv vendimin e komandantit të KFOR-it për të mos lejuar dislokimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës, pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc.
“Ky është një incident serioz i sigurisë dhe për këtë kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të hedhë dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarje dhe të vendosë përgjegjësinë”, tha Mojsilloviq.
Gjenerali serb po ashtu tha se Serbia qëndron fuqishëm në pozicionin e neutralitetit ushtarak.
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim me partnerët si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, të vetëdijshëm se ky bashkëpunim kontribuon në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. Mendoj se ka një mirëkuptim për pozicionin tonë në botë”, tha gjenerali serb.